Procesi i votimit për 61 kryetarët e rinj të bashkive dhe për Këshillat Bashkiakë, ka shënuar problematika të shumta, ku përveç vështirësive me pajisjet e identifikimit elektronik, dhe ndërprerjen e energjisë eletrike, probleme ka edhe me bojën e vendosur në gisht, e cila fshihet lehtësisht.
Kjo bojë fshihet shpejt nga gishti i votuesve, gjë e cila lejon një person të votojë disa herë më lehtë.
Nisur nga ky fakt reagime kanë ardhur nga gazetarë dhe analistë të cilët e kanë demostruar edhe me një video.
“Pak më parë kolegia Ambrozia Meta pyeti drejtpërdrejtë kryekomisionerin Celibashi nëse mund të bëhet një provë live me bojën identifikuese të votimit, me atë vetë, ose ndonjë punonjës administrate. Sepse në masë po dëshmohet fshirje e saj lehtësisht. Kryekomisioneri nuk kish votuar vetë, nuk pranoi asnjë nga punonjësit e administratës të ofrohej për provën në ngarkesë. Të sapo kthyer nga votimi, unë dhe im shoq, ndërsa dëgjonim Ambrozian të këmbëngulte bëmë provën në vetë të parë. Rezultati duket qartë. Kjo mësymje me çdo lloj forme, nga taktikat e dobëta tek kërcënimet serioze, nga dekurajimi për votime tek problemet serioze të identifikimit biometrik e kanë shndërruar procesin zgjedhor në një tribalizëm të frikshëm vendesh të harruara civilizimi. Po a nuk mundeshim t’i ngjanim Kosovës në zgjedhje? Shqiptarë more jemi, një gjak e një gen…nuk jemi pra të gjithë fajtorë. Vetëm në një rast, nëse i lejojmë të sillen me ne si “vrasës me liçensë zgjedhjesh”, si moskund. Atëherë i përkasim “Moskundit”,-shkruan Sonila Meço krahas videos.
Gjithashtu një video është bërë edhe nga gazetarja Erla Mëhilli, ku tregon sa lehtë fshihet boja nga gishti drejtues.