Pasi babai i saj fitoi betejën me koronavirusin, Arta Jashari, sopranoja kosovare shërben prej gjashtë muajsh për pacientët e infektuar me koronavirus në QKUK .
Në një intervistë për “Wake Up” Jashari rrëfeu se angazhimi për të shërbyer në spital dhe për të vijuar karrierën me muzikë është kthyer pjesë e përditshmërisë së saj duke i dhuruar kënaqësi humanitare.
“Shërimi i tij vazhdon të jetë një shpresë. Kam marrë mijëra thirrje për kontakte e për shërbimin spitalor dhe i kam shërbyer atyre që më kërkojnë dhe nuk hezitoj ti vesh rrobat e të shkoj tu shërbej.
Të infektuarit me Covid kanë nevojë esenciale për mbështetjen psikologjike dhe shpirtërore. Kanë nevojë që të kenë pranë familjarët e tyre dhe njerëzit që u besojnë. Që nga eksperienca me babain tim, e kam konsideruar tepër të rëndësishme.
Jam e vetëdijshme që duhet të ruajmë vetveten. I kam marrë veshjet special dhe nuk i shoh familjarët e tjerë që vijnë ashtu por kam marrë ekstremet që mos të infektohem për vete dhe të mos e mbart tek familjarët në shtëpi. Mendoj që është shumë e përgjegjshme të vishen ato rroba.
Fqinjët tanë na u kanë gjendur të dy kur isha e izoluar me babain, na sillnin çdo ditë drekën. Një ditë mora vesh që nuk ndiheshin mirë dhe kam marrë të gjitha hapat derisa kanë ardhur familjarët e tjerë dhe tani gjendja e tyre po stabilizohet dhe shpresoj që t’ia dalin mirë e pa pasoja”- tha ajo.
Sopranoja theksoi se nëse do të vijë vaksina dhe do të përfshihet në grupin e personave që duhet të vaksinohen, nuk do të hezitonte ta bënte.





