Gjatë fjalës së tij në aktivitetin për ngritjen e sistemit elektronik të deklarimit të pasurisë ambasadori BE në Tiranë, Luigi Soreca tha se lufta kundër korrupsionit kërkon vullnet politik të autoriteteve përgjegjëse.

Soreca theksoi se korrupsioni ka ndikim në administratë, duke bërë që kostoja për shoqërinë të jetë e madhe.

"Lufta kundër korrupsionit është e një rëndësie thelbësore për të  gjithë qytetarët e Shqipërisë, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Kostoja ekonomike e korrupsionit është e madhe, por kostot e shoqërisë janë më të mëdha.  Korrupsioni ka ndikim në funksionimin e administratës dhe në shërbimet që ofrohen. Por ka edhe një efekt shkatërrues për ekonominë e vendit. Kjo do të thotë më pak shkolla, më pak spitale më pak punë.  Shfarosja e korrupsionit është një përpjekje komplekse. Kryesisht është sfidë për qytetarët dhe institucionet, por jo vetëm. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër korrupsionit dhe ndajmë barrën e kësaj lufte. Kjo luftë kërkon vullnetin politik të autoriteteve përgjegjëse dhe përkatëse ne vend. Këto autoritete janë marrësit e parë të këtij mesazhi nga BE. Ajo që duket qartë nga korrupsioni është që në fund të fundit ata që janë më të ekspozuar janë qytetarë e thjeshtë, që nga studentët apo biznesmenët. Lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet kyçe për Shqipërinë për të ecur drejt BE."