Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca ka komentuar nga Vlora ligjin anti-KÇK dhe Operacionin Forca e Ligjit.
Soreca tha se parimi “ndiq paranë” është mënyra më efikase për të luftuar krimin e organizuar, por nga ana tjetër shtoi se po e ndjekin nga afër zbatimin e ligjit.
“Ne besojmë që parimi “ndiq paranë” është mënyra efikase për të luftuar krimin e organizuar. Kjo tregon vullnetin politik për ta trajtuar atë problem. Megjithatë mënyra sesi do të zbatohet ky ligj është shumë e rëndësishme dhe ne po e ndjekim nga afër zbatimin e këtij ligji. Është shumë e rëndësishme që kjo strukturë e re të ndjekë jo vetëm parimet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit por gjithçka që ka të bëjë me të drejtat themelore të njeriut. Po ashtu është shumë e rëndësishme që kjo strukturë e re të funksionojë dhe të punojë nën udhëheqjen e SPAK. Po e ndjekim nga afër zbatimin e këtij ligji, të gjithë punën që po bëhet, jam në kontakt me Ministrinë e Brendshëm dhe javën e ardhshme do të takohem dhe me udhëheqësit e SPAK.”





