Pas aktiviteteve kulturore në shesh, ndalesa e radhës e ambasadorit të BE-së. Luigi Soreca, ishte takimi me përfaqësues nga fondacioni “Së bashku” dhe qendra rinore “Perspektiva Unë marr Pjesë”.

Me të rinjtë dhe persona me aftësi të kufizuar, ambasadori diskutoi mbi zgjedhjet e 25 prillit dhe përfshirjen e të rinjve në këtë proces kaq të rëndësishëm.

I pyetur nga i riu Flamur Bala mbi pamundësinë e shumë personave me aftësi të kufizuar për të pasur akses në disa qendra votimi për shkak të mungesës së rampave dhe njëkohësisht akuzat për vjedhjen e zgjedhjeve, ambasadori Soreca u përgjigj:

“Kemi marrë pjesë në vëzhgimin, procesin e numërimit dhe çdo procedurë tjetër. Objektivi ynë ishte vëzhgimi dhe monitorimi nëse po zbatohej Kodi Zgjedhor siç duhet. Siç e keni nga raportet që OSBE ka nxjerrë, zgjedhjet në Shqipëri ishin në mënyrë të rregullt por më saktë pa probleme. Në qendra të ndryshme të votimit ka pasur përmirësime në krahasim me vite më parë. Është shumë e rëndësishme që tani të ndiqen të gjitha parregullsitë që pretendohen se janë kryer dhe ne e dimë që kjo punë aktualisht po ndodh. Kjo është një punë që do ndiqet me imtësi dhe përfundohet nga administrata zgjedhore dhe tashme dhe SPAK ka një mandat më të zgjeruar për të hetuar në ato që quhen krime zgjedhore. Dëshiroj që t’ju siguroj që ne po i ndjekim me vëmendjen më të plotë të mundshme të gjitha ato që ju thatë.”