1 Maji përkujtohet në të gjithë botën si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Kjo ditë kujton angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve.

Historia e dhunës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1880, tregoi se punëdhënësit do të përdornin arsenalin e tyre, që nga gjykatat deri te policia. Ndërkohë që vrasjet në një nga sheshet kryesore të Çikagos, treguan se sa shumë ishte përkeqësuar situata. Por, përpjekjet e punëtorëve për orarin 8 orësh të punës në vitin 1880 treguan vendosmërinë e tyre.

Lëvizja nisi më 1884-n, kur Federata e Tregut të Organizuar dhe Bashkimi i Punëtorëve (paraardhëse e Federatës Amerikane të Punëtorëve) hartoi rezolutën se “duke nisur nga 1 Maji 1886 orari i punës për të gjithë punëtorët duhej të ishte 8 orësh”.

Më 1 Maj të vitit 1886 mbi 200 000 punëtorë, të mbledhur në sheshin qendror të Çikagos, do të nisnin grevat për të kërkuar të drejtat e tyre. Ndërkohë që gazetat do t’i vlerësonin ato si “absurde”. Vdekja e 7 policëve gjatë protestave, të nisura prej shumë ditësh, ishte shkaku i reagimit të Policisë së Çikagos ndaj lëvizjes së punëtorëve. Si pasojë e një bombe të hedhur nga forcat policore u vranë 8 udhëheqësit kryesorë të federatës së punëtorëve, duke e kthyer kështu Majin në muajin e përkujtimit të përpjekjeve të punëtorëve për të fituar të drejtat e tyre.

Tre vjet më vonë nga ngjarja e Çikagos, më 1889-n, Internacionalja e Dytë Socialiste, që u zhvillua në Paris (Francë), vendosi kremtimin e 1 Majit si ditën e bashkimit, luftës dhe solidaritetit të të gjithë punëtorëve të botës. Sot, pothuajse pas 122 vjetësh, 1 Maji festohet në mbarë botën si Dita e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve.

Në Shqipëri dita e punëtorëve organizohet ndryshe nga vendet e botës. Shqiptarët festojnë në vend që të protestojnë, ndërkohë që është ditë pushimi për të gjithë administratën shtetërore.