TIRANE, 7 tetor 2013 – Nis sot viti i ri akademik për rreth 162 mijë studentë dhe mbi 10 mijë pedagogë në të gjithë vendin.
Universiteti shtetror i Tiranës është ai që ka edhe përqendrimin më të madh të studentëve, ndërsa ndiqet nga universitetet e Shkodrës, Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës.
Sipas udhëzimit të ish-ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, do të ulen nëpër auditorët e universiteteve publike studentët e ciklit të parë të studimeve, si dhe ata që do të vazhdojnë studimet master profesional e shkencor.
Ndërkohë që, për programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, viti akademik do të fillojë në datën 21 tetor 2013.
Ndërkaq, sipas udhëzimit të Tafajt, periudha 24 dhjetor 2013 deri 5 janar 2014 do të jetë periudhë pushimesh për studentët.
Sa u takon studentëve që do të ndjekin vitin e parë të studimeve, ata duhet të bëjnë regjistrimin pranë sekretarive të fakulteteve përkatëse.
Fillimisht duhet të kryhet pagesa, ndërsa së bashku me mandat-pagesën duhet të paraqiten nëpër sekretaritë e fakulteteve në të cilët janë shpallur fitues përmes Formularit A2.
Fakulteti Histori-Filologji
Ndryshe nga të gjitha fakultetet e tjera publike, Fakulteti Histori-Filologji do të shtyjë edhe një javë nisjen e vitit akademik për studimet master. Shkak i shtyrjes së afatit janë bërë fluksi i kërkesave për të vazhduar studimet në këtë fakultet, ndërsa programet që kryesojnë listën janë ato për marrëdhënie ndërkombëtare, arkeologji dhe trashëgimi kulturore, histori dhe gazetari. Sipas dekanit, Shezai Rrokaj, një tjetër arsye për shtyrjen e afatit është edhe mbyllja e sezonit të vjeshtës.
"Studentët që mbarojnë Bachelor në fakultetin tonë, automatikisht fitojnë të drejtën me kërkesën e tyre të pranohen në master, kurse për studentët që vijnë nga fakultete të tjera homologe apo të përafërta për ta, kriteri i pranimit do të jetë mesatarja. Ka shumë kërkesa për marrëdhëniet ndërkombëtare, për arkeologji, histori, gjuhësi dhe sidomos për gazetari", – është shprehur Rrokaj.
Një risi për këtë vit akademik në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë është dhe hapja e degës së arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore që në vitin e parë Bachelor, pasi deri tani ajo ishte vetëm në ciklin e masterave.





