TIRANE – Opozita do të përkujtojë sot, me homazhe, dokumentar, lule e muzikë funebre, 4 protestuesit e saj që u vranë në 21 janar 2011, në qendër të Tiranës. Prej shumë ditësh, PS-ja ka vendosur që sot, dy vjet pas tragjedisë, veçse të nderohen viktimat, me lule dhe një parakalim pranë fotove të tyre, vendosur në 4 vendet ku ata ranë, shumë pranë kryeministrisë, të ketë edhe një dokumentar. Sipas grupit organizator të ditës përkujtimore, pritet që sot të vijnë shumë qytetarë nga e gjithë Shqipëria. Çdo i zgjedhur socialist është porositur që të sjellë me vete anëtarë të zonës që mbulon, por jo se është vënë ndonjë qëllim që të ketë numër të madh të të pranishmëve në homazhe. Gjithçka pritet të nisë nga selia e PS-së, aty ku në fakt nisi edhe protesta e 2 viteve më parë. E më pas njerëzit në heshtje do të marshojnë drejt bulevardit kryesor të Tiranës, duke qëndruar para kryeministrisë. Aty do të jenë vendosur 4 fotot e të vrarëve të 21 janarit, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj. Bashkë me deputetët e drejtuesit e opozitës do të jenë edhe familjarët e 4 të rënëve. Gjatë gjithë kohës në sfond do të ketë muzikë funebre. Me të mbaruar homazhet këtu, një tjetër aktivitet pritet të nisë, në kinema “Millenium”. Aty do të shfaqet një dokumentar me gjithçka ndodhi në 21 janar. Ky është një dokumentar, CD-ja e të cilit iu dha edhe ambasadorëve të huaj, pas 21 janarit. Aty shfaqen të gjitha pamjet e protestës, së bashku me momentet tragjike të 4 vrasjeve. Por gjithashtu janë edhe deklaratat e ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, si edhe fakte të tjera që PS-ja i ka ruajtur me fanatizëm, së bashku me komentet e saj mbi atë ngjarje. Në përfundim edhe të këtij aktiviteti, deputetë dhe drejtues të PS-së do të shpërndahen për të kryer vizitat e ngushëllimit në familjet e 4 protestuesve që tashmë nuk jetojnë më. 

Deklarata e Ramës

Një ditë para homazheve për 21 janarin dhe viktimat e kësaj proteste, kreu socialist deklaroi se: “Ky është një tjetër 21 janar pa drejtësi! Madje një 21 janar që e gjen procesin gjyqësor në një fazë rrënimi të mëtejshëm”. “Ne do të jemi nesër (sot), aty ku kemi qenë qysh nga dita e parë, në kërkim të drejtësisë, duke kujtuar 4 dëshmorët e 21 janarit. Dua të shpreh edhe njëherë bindjen se 21 janari është nga ato ngjarje, që një vend nuk ka mundësi t’i harrojë. Sepse është një plagë që do të mbetet e hapur, deri kur drejtësia të vihet në vend”, – deklaroi Rama. Sipas kreut të PS-së, “është një nga ato plagë që kombet nuk i mbyllin dot me sytë e harresës. Është një plagë, që ne do të bëjmë çmos për ta shëruar përmes drejtësisë”. “Nga ana tjetër, dua ta vlerësoj shumë lart qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre më të lartë në Shqipëri në kërkim të drejtësisë për 21 janarin. Është një qëndrim, që vjen duke u forcuar muaj pas muaji dhe vit pas viti, ashtu siç vjen duke u forcuar bindja e përgjithshme se 21 janari është një nga ato momente, që nuk mund të harrohen kurrë dhe nuk mund të mbeten kurrsesi aty të paharruara dhe të pagjykuara”, – tha kreu socialist.