4 vite pas tërmetit, në çdo cep të Durrësit ka një histori për të treguar.
Ka vuajtje, mungesë e dëshirë për shpresë, për ata që prej lëkundjes sizmike humbën gjithçka kishin.
“DurrësLajm” vit pas viti ka qenë aty, me ta, për të pasqyruar gëzimin e fatlumëve dhe trishtimin e të atyre që patën më pak fat.
“Në Itali ka 16 vite që ka rënë tërmeti, akoma italianët banojnë me plasmasë. Ndërkohë neve na jep shteti shtëpi.”
“Jam shumë e gëzuar. Falenderoj bashkinë, kryeministrin, që na bënë me shtëpi të re”, thanë më 10 nëntor 2 qytetarë, që u bënë me shtëpi të re pas shorteut publik që u hodh për pallatin nr.30, në lagjen nr.5.
Ndërsa me 20 tetor, kalvari i gjatë i vuajtjeve i nxorri në protestë banorët e 2 pallateve në lagjen nr.5.
Ndër të tjera ata thanë:
“Çfarë bie jashtë, hyn brenda. Kanë hequr pllakat, instalimet, këtu nuk jetohet, ku të shkojmë?”
“Tani ne jemi në rrugë me pension invaliditeti, nuk kemi ku të shkojmë, nga një shtëpi në shtëpi.”
Shumë kanë ndodhur përgjatë këtyre 4 viteve.
Dikur kërkonin vetëm banesat e tyre, e sot kërkesat janë bërë edhe më bazike: Të paktën një informacion për fatin e atyre, që 4 vite më parë i quanin shtëpi.
“Të paktën të na thonë, e bëjmë se bëjmë, kemi punuar gjithë jetën për këtë shtëpi. Na gënjejnë, ja kjo është.”
“Thamë që do presim një përgjigje, u bënë rreth 2 javë e s’dimë gjë dhe të hënën do vazhdojmë të hyjmë brenda.”
“Të na japin një vendim, sot, nesër, për një muaj, por ama të caktojnë një datë”, kanë thënë disa banorë gjatë protestave të shumta.
Pa shtëpi dhe me të ardhura minimale, xhepat ua rëndon edhe më shumë qiraja, bonusin për të cilën bashkia prej muajsh nuk ua ka depozituar nëpër llogaritë bankare.
“Ka 7 muaj asnjë lekë s’kanë marrë qiraxhinjtë e shtëpive dhe na kanë njoftuar me na nxjerrë.
Ne do vijmë po këtu ku jemi duke folur, do vëmë batanijet do jetojmë këtu.
Madje po patëm mundësi do u marrim dhe zyrat, se nuk kemi ku shkojmë më.”
“Ne me qira po qëndrojmë. Kemi 6 muaj s’kemi as bonus qeraje asgjë.
Kam 3 muaj që s’po ia jap qiranë atij që e ka, 3 muaj bëra si bëra ia dhashë nga lekët e mia, tani edhe ne çfarë do bëjmë?”, kanë shtuar ata.
Megjithatë, panorama nuk është edhe aq e zymtë.
Procesi i rindërtimit dhe rikonstruksionit vijon ende dhe disa familje kanë mundur t’i gëzojnë shtëpitë e reja.
“Unë jam i kënaqur. U ndanë hyrjet me short, isha në kat të katërt, me ra në kat të gjashtë. Gjysma e së keqes, i kënaqur jam”, ka thënë më 10 nëntor një qytetar.
Sipas të dhënave zyrtare, siguruar nga bashkia Durrës, në total janë 85 pallate me shkallë dëmtimi DS4, që kanë qenë, ose janë pjesë e kontratave për riforcim.
Në 19 prej tyre, sipas bashkisë, kanë përfunduar punimet, ndërsa në të tjerat vijon puna për riformcimin.
Nga ana tjetër, janë 48 objekte banimi miratuar me Vendim të Këshillit Bashkiak për rindërtim, 12 prej të cilave janë ringritur në të njëjtin truall.
Bashkia thekson, se rindërtimi i këtyre objekteve, me shkallë dëmtimi DS5, është një proces i cili nuk varet vetëm nga institucioni vendor, por që kryhet dhe realizohet në bashkëpunim ndërinstitucional.
Nëse nga institucionet përkatëse të qeverisjes qëndrore nuk do të lëvrohen fonde për këtë proces, Bashkia Durrës thotë se do të vlerësojë mundësinë e përfundimit të këtij procesi me fondet e saj duke filluar nga viti që vjen.





