TIRANE, 15 mars 2013– Mbushen sot plot 5 vite nga tragjedia e 15 marsit në Gërdec, ku nga shpërthimi në fabriken e demontimit të armëve, 15 km larg Tiranës humbën jetën 26 persona, mes të cilëve gra e fëmijë. 

Nga shpërthimi u plagosën mbi 300 persona dhe u dëmtuan biznese e banesa të zonës, ndërsa tragjedia ka mbetur një plagë e rëndë për të gjithe. 

Miq të afërm e familjare të viktimave kujtuan sot me lot në sy viktimat e këtij shpërthimi, më të rëndin që goditi vendin. 

Homazhe u zhvilluan në kraterin e shpërtimit, por edhe varrezat e fshatit, ku prehen të ndjerët. 

Ndërkohe pas një kalvari të gjatë seancash, Gjykata e Apelit dha vendimin për 29 të pandehurit e dosjes Gërdeci, duke reduktuar vendimet që dha Gjykata e Shkallës së Parë për të akuzuarit kryesore, vendim i cili pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë, pas rekursit të prokurorisë. 

Forcat e Armatosura janë prezent në Gërdec që prej shpërthimit në 15 mars të 2008. Aktualisht për pastrimin e plote te zone janë angazhuar rreth 50 specialistë të asgjësimit të municioneve dhe eksplozivave, ndërsa me dy mjete transporti vetëshkarkuese dhe një mjet tip fadromë" kryhet transportimi i inerteve nga zona e shpërthimit.