TIRANË- Trupi i pajetë i komisarit të Burrelit, Musa Skura, i cili u plagos rëndë në krye të detyrës, e më pas vdiq në një spital në Itali, pritet të mbërrijë sot në Atdhe. Trageti që do sillte trupin e tij në portin e Durrësit, ishte parashikuar të ankorohej në orën 09.00 të mëngjesit, por për shkak të motit të keq dhe detit me dallgë, mësohet se trageti do të vonohet.
Familjarët, por edhe autoritete shtetërore e forca të shumta policie ndodhen në portin e Durrësit, në pritje të trupit të oficerit Musa Skura.
Pasi të mbërrijë në Durrës, trupi do të vendoset në në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë në Tiranë, ku edhe do të zhvillohet ceremonia e homazheve e parashikuar në orën (11:00-12:30). Pas ceremonisë komisar Musa Skura do të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve, që do jetë edhe banesa e tij e fundit. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, (ora 12:30 deri në 13:30).
Ai u shpall dje “Dëshmor i Atdheut”, nga Komisioni Qendror për Statusin, i kryesuar nga ministri i
Mbrojtjes, Arben Imami. Ndërkohë që qeveria miratoi dje një ndihmë financiare prej 5 milionë lekësh ( të vjetra) për familjen e të ndjerit.
Shefi i krimeve të Burrelit, Musa Skura, u qëllua në befasi nga disa trafikantë armësh, gjatë një operacioni policor të zhvilluar mbrëmjen e datës 13 janar, në vendin e quajtur "Përroi i Kecit", në fshatin Suç të Matit. Ai qëndroi për dy ditë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirugjikale. Mjekët thanë se u detyruan ti hiqnin shpretkën dhe njërën veshkë, ndërsa nga plumbat ishin dëmtuar rëndë edhe tre organe të tjera. Dy ditë pas ngjarjes, kreu i krimeve të Burrelit u dërgua për një ndihmë më të specializuar në spitalin “Padre Pio”, të Foggias në Itali, por fatkeqësisht ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.





