Dita Botërore e Shëndetit kujtohet në 7 Prill, e cila shënon dhe ditën e themelimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (7 prill 1948).
Në një prezantim në këtë ditë kreu i Shëndetësisë Ilir Beqaj, bëri thirrje për më shumë aktivitete të ndërgjegjësimit shëndetësor dhe parandalimit.
“Ashtu siç edhe tregojnë të dhënat paraprake të check-up-it për nivelin e sëmundshmërisë të paradiabetikëve dhe diabetikëve, ne jemi duke bërë një hap të mëtejshëm duke pajisur mjekët e familjes me instrumentet e nevojshëm për parandalim dhe diagnostikim të hershëm”, tha Beqaj.
Beqaj deklaroi se numri i të prekurve nga diabeti është rritur në mënyrë të frikshme, duke shtuar se ka një numër të konsiderueshëm njerëzish që vuajnë nga kjo sëmundje, por nuk janë në dijeni.
“Nuk është e lehtë, megjithatë, me sa duket ka momente që të kemi një qasje aktive përkundrejt kësaj sëmundjeje që po përhapet shumë. Në 20 vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i të sëmurëve me diabet, por edhe më shumë është rritur numri i fataliteteve që burojnë nga diabeti. Diabeti është i përhapur, ka një numër njerëzish të sëmurë me diabet që nuk e dinë që janë me diabet. Midis njerëzve që e dinë që janë me diabet dhe mjekohen, jo të gjithë mjekohen rregullisht, edhe pse praktikisht tek barnat për sëmundjet e diabetit ne kemi me rimbursim nga Fondi mbulim mbi 97%”, tha Beqaj.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit, e cila këtë vit i kushtohej diabetit me temën “Mposhte diabetin”.