Nga Bledar Kurti
Dita e Presidentëve është një festë e rëndësishme në Shtetet e Bashkuara që festohet të hënën e tretë të shkurtit për të nderuar të gjithë personat që shërbyen në detyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe një festë federale posaçërisht për të nderuar George Washington, Presidentin e Parë të SHBA dhe Abraham Lincoln, Presidentin e 16-të, té dy të lindur në muajin shkurt.
SHBA është vendi i parë në botë që përcaktoi në Kushtetutë ofiqin e Presidentit, ofiq që më pas u mor edhe nga shtete të tjera.
Në betimin e marrjes së detyrës, Presidenti i ShBA, betohet se “unë do e kryej detyrën e Presidentit me të gjithë forcën dhe aftësinë time” dhe se do mbrojë Kushtetutën e vendit.
Presidenti i SHBA ka mandat të kufizuar në dy. Kufizimi i mandateve u caktua vetëm në vitin 1951.
Më 27 shkurt 1951 Kushtetutës Amerikane iu shtua Amendamenti i 22-të. Ky amandament kufizoi efektivisht në 2 (dy) numrin e mandateve që një president i Shteteve të Bashkuara mund të shërbejë në detyrë.
Përpara vitit 1951 Kushtetuta Amerikane nuk e ndalonte numrin e mandateve të Presidentit pasi besohej se nëse do kishte pëlqimin, bekimin dhe mbështetjen e votuesve kjo prevalonte mbi çdo formulë kufizimi. Megjithatë, kishte një rregull të pashkruar, një precedent, lënë nga George Washington, Presidenti i parë i SHBA, i cili pas dy mandateve në detyrë u dorëhoq duke themeluar “de facto” parimin e dy mandateve.
Pati Presidentë të tjerë të mëvonshëm të cilët tentuan të kandidonin për më shumë se dy mandate por ose nuk u pranuan nga partia e tyre ose nuk u zgjodhën. Kjo për shkak se parimi i dy mandateve ishte çimentuar si koncept qeverisjeje.
I vetmi përjashtim ishte Presidenti Franklin D. Roosevelt i cili arriti në katër mandate (u nda nga jeta në të katërtin) kjo për shkak të një përjashtimi dhe mirëkuptimi politik e popullor, pasi periudha në të cilën ai shërbeu përkoi me evente të rënda e të paprecedenta për Amerikën dhe botën, si Depresioni i Madh, Lufta e Dytë Botërore dhe sulmi i Japonisë në Pearl Harbor.
Duhet theksuar që Roosevelt nisi atë që njihet si Presidenca Moderne Amerikane, që do të thotë Presidenti mori kompetenca fuqiplote për shkak të ndryshimeve të vrullshme në luftë dhe ekonomi, të cilat kërkonin vendime e veprime të menjëhershme e jo kohë të gjatë vendimmarrje nga Kongresi. Kjo kompetencë fuqiplote vazhdon edhe sot. Amandamenti i 22-të vetëm kushtëzoi “de jure” numrin e mandateve në detyrë që është 2 (dy).
Në Kushtetutën Amerikane neni që përcakton përgjegjësitë e Presidentit është i shkurtër dhe pa një listim të gjatë funksionesh. Por, për shkak të epokës së Presidencës Moderne Amerikane të nisur nga Roosevelt, Presidenti gëzon sot kompetenca fuqiplote por sigurisht të balancuara nga Kongresi në çështjet themeltare si buxheti. Kjo për arsye sepse etërit amerikanë krijuan një shtet ku asnjë individ të mos e shpallë veten mbret.
Etërit amerikanë i kërkuan Presidentit të përdorë të gjithē fuqinë e tij dhe çdo mjet që disponon individualisht por edhe institucionalisht në mbrojtje të Kushtetutës.
Kjo është ShBA! Ky është “qyteti mbi kodër”, ai vizioni i pelegrinëve të parë që ia arritën të ndërtonin një shtet tek i cili do përqendroheshin prej shekuj sytë e të gjitha kombeve.
Ky është shembulli sublim i republikës, parimeve demokratike, i shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit dhe shtetarisë.
“Qeverisje e popullit, nga populli, për popullin” tha Abraham Lincoln, një koncept dhe shembull i jetëzuar më së miri në SHBA.





