Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë ringjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.
Fjala “Nevruz“ do të thotë “Dita e re” (nga persishtja) dhe ’Sulltan’, është titull i lartë. Kjo ditë, e ka origjinën që herët. Në Shqipëri filloi të festohej që kur u përhap bektashizmi në shekujt XIV. Dita e Sulltan Nevruzit përkon me ditën e lindjes së Imam Aliut.
Për këtë festë, poeti ynë Naim Frashëri ka thënë: “Sot është një ditë e re që përsëritet moti, lind Vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, lind vet Zoti”. Kjo ditë përkujton edhe ditëlindjen e Imam Aliut, që lidhet me ringjalljen e jetës dhe me shpresën për ditë më të mira. Kjo ditë ka një domethënie të veçantë për gjithë besimtarët. Është dita e Imam Aliut, dhëndrit të profetit Muhamed, i cili ka qenë krahu i djathë i Profetit.
Prandaj kjo festë, për bektashinjtë përfaqëson një ditë të shënuar dhe më të bekuara të vitit. Ai ka lindur më 22 mars dhe është një nga shenjtorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe, i pari i dymbëdhjetë imamëve. Imam Aliu, është një nga imamët e mëdhenj, i pajisur me një dituri të jashtëzakonshme. Profeti Muhamed thotë: “Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është porta e tij” ose “Nuk ka trim si Aliu, nuk ka shpatë tjetër si Zylfikari Aliut. Kush do Alinë, më ka dashur mua, kush urren Alinë, më ka urryer mua”. Prandaj me të drejt u quajt prijës i besimtarëve arabë, dijetarëve arabë që bënë epokë të artë e që i dhanë dritë, njerëzimit mbarë. Ai ishte njeriu i luftës për përparimin njerëzor. Ai përdorte bukur fjalën për pikëllimin e shpëtimin njerëzor. Ai la pas tre parime: Shkallën e të menduarit, unitetin njerëzor dhe, drejtësinë. Prandaj mbeti simbol i përhershëm.
Si festohet Sulltan Nevruzi?
Në këtë ditë feste, pihet një gotë qumësht, i cili simbolizon lindjen e një dite të re. 22 marsi konsiderohet nga besimtarët bektashian një ditë e shenjtë.
Gatimet për festën e Sulltan Nevruzit
Me këtë rast bektashinjtë gatuajnë ushqimet karakteristike, që janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh,(spinaq, lëpjetë, majdanoz, fletë lakre, kopër, gjethe prasi, labot, qepë, oriz, etj). Bimët e tokës simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë, brenda në byrek futet edhe një monedhë metalike. Pasi është pjekur byreku ndahet nga amvisa e shtëpisë në pjesë dhe më pas i jepet seicilit prej anëtarëve të familjes nga një pjesë. Ai që gjen monedhën në pjesën e tij është me fat. Do të kalojë një vit të begatë e me mbarësi. Gatuhet përshesh me pulë ose mish qengji, qengji i pjekur, sultiash është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite, sepse përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës, orizi që simbolizon drithërat, bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe, gjithashtu në disa raste gatuhet edhe kabuni (me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra).