Kosovë, 7 qershor 2014 – Të dielën me 8 qershor qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të votojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Në dhjetë ditë fushatë, 30 partitë politike që janë çertifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor kanë pasur mundësinë që t’i paraqesin programet e tyre politike, për të kërkuar votën.
Numri i përgjithshëm i subjekteve politike të çertifikuara për të marrë pjesë në këto zgjedhje, sipas KQZ-së është: 18 parti politike; 7 iniciativa qytetare; 1 kandidat i pavarur; 4 koalicione.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë bërë përgatitjet finale për zgjedhjet e së dielës. Për këto zgjedhje parlamentare janë akredituar rreth 30 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.
Sipas Xhemail Peçanit, nga KQZ-ja i gjithë materiali zgjedhor është gati dhe tanimë ka filluar shpërndarja e tij nëpër të gjitha vendvotimet si dhe është në përfundim e sipër trajnimi i këshillave të vendvotimeve.
Në anën tjetër, në një kumtesë e përbashkët të përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, dhe shefave të misioneve të shteteve anëtare të BE-së, që janë të pranishme në Kosovë, theksohet se këto do të jenë zgjedhjet e para të përgjithshme pas përmbylljes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në.
Për zgjedhjet e 8 qershorit do të jenë 1235 kandidatë që garojnë për një vend në Kuvendin e Kosovës, ndërsa ata që do t’i votojnë do të jenë 1 milion e 782 mijë e 54 persona, përfshirë edhe komunat veriore, me shumicë serbe.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





