Sot, në orën 17:00 mbahet tubimi i thirrur nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, që siç argumenton ai, ka synim çmontimin e grushtit të shtetit.

Tubimi do të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa pritet të ketë pjesëmarrje jo vetëm nga Shqipëria.

Prej ditësh, kreu i shtetit ka publikuar videomesazhe nga bashkatdhetarët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilët janë shprehur se do të marrin pjesë në tubimin e Kreut të Shtetit në mbrojtje të Kushtetutës.

Edhe partitë politike opozitare, krerët e tyre, pritet të jenë në tubim, pavarësisht se ata pritet të mos flasin.

Në një dalje publike për mediat ditën e djeshme, kreu i shtetit shqiptar iu bëri apel qytetarëve që do të marrin pjesë në manifestim, që të vijnë vetëm me flamujt kuqezi, lulet mimoza meqenëse po vjen pranvera dhe dy thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe “Liri, Demokraci”. Po ashtu Meta theksoi se ky manifest do të jetë paqësor.