21korrik 2015 – Ligji për Arsimin e Lartë është një çështje që po përplas pozitën me opozitën në parlament. Me shpejtësi është bërë diskutimi në komision e sot u dërgua drafti në parlament nga e majta, e cila kërkon votimin.

Aktualisht, po vazhdon debati mes deputetëve. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka folur kundër pedagogëve që nuk e pranojnë këtë ligj. “Ju keni punuar në anarki. Keni bërë tradhtinë më të madhe që mund t’i bëhet një kombi”, akuzoi ajo nga foltorja e parlamentit. Sipas Nikollës, ligji për Arsimin e Lartë do të shërbejë për të rigjetur vlerën e diplomës së universitetit.

Përfaqësuesit e së djathtës kanë shprehur akuza, duke deklaruar se, gjithçka po bëhet për qëllime klienteliste. “Kush na siguron ne se universitetet publike do të ofrojnë shërbime e cilësi pa rritur tarifat? Ky është një ligj që penalizon studentët dhe e trajton arsimin publik si mall te tregu çam”, u shpreh deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.

Ministrja replikoi me Tabakun, duke e sfiduar që të tregojë emra konkretë të personave që përfitojnë me miratimin e këtij ligji.

Debati po vazhdon dhe pritet që pas përfundimit të fjalës së të gjithë deputetëve të hidhet në votim mbrëmjen e sotme.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/