Me sloganin “Ndryshimi në duart e tua” opozita do të nisë zyrtarisht rrugëtimin drejt 14 majit.
PD ka bërë publik edhe spotin e çeljes së fushatës, ku përmes mesazheve ftohen qytetarët të marrin pjesë në mitingun e kësaj të shtune.
Në videon e spotit bëhet një retrospektivë se si mbërriti PD e rithemeluar deri këtu.
Pikënisja e këtij rrugëtimi është 16 shtatori i vitit 2021, kur kryetari i PD, Sali Berisha nisi Foltoret me qytetarët.
Momenti i dytë madhor ishte Kuvendi i 11 dhjetorit, ku zbriti në stadium “formacioni i lirisë”, me miratimin e ndryshimeve statutore të PD ku u shkarkua Lulzim Basha dhe u bënë pjesë e statutit primaret.
Ndërsa më 6 mars 2022, shqiptarët i besuan rithemelimit me votë, në zgjedhjet e pjesshme vendore.
Momenti kulminant i rithemelimit të Partisë Demokratike do të ishte 22 maji i vitit të kaluar kur lideri historik, Sali Berisha u zgjodh në krye të PD-së.
Demokratizimi i PD, tashmë më e hapur dhe më e bashkuar, paralelisht me aksionin opozitar si protestat dhe debati në Parlament, vijoi me zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie përmes procesit të primareve më 4 dhjetor 2022.
Mesazhet e spotit të PD:
Ejani të shtunën, 15 prill 2023 ora 12:00 në stadium!
Rikthehemi në ‘Arenë’, aty ku nisi Rithemelimi!
Më të fortë për mbrojtjen e pluralizmit e demokracisë!
Më të hapur me kandidatët e dalë nga vota juaj!
Më të bashkuar të gjithë ata që nuk janë marrë peng nga pushteti!
Ndryshimi në duart e tua!
#BashkëFitojmë