Ditën e sotme nis Censi i Popullsisë dhe Banesave. Këtë vit do të mësojmë numrin e saktë se sa shtetas shqiptarë dhe jo vetëm jetojnë brenda territorit të Shqipërisë, sa meshkuj e sa femra, sa të arsimuar dhe jo, si dhe informacione të tjera.
Sot, mbi 7000 persona do të dalin në terren për të grumbulluar të dhëna të detajuara derë më derë.
Qytetarët do të duhet të plotësojnë një formular ku kërkohet informacion i detajuar i cili duhet të plotësohet me korrektësi. Ata do të kontaktohen në telefon për të rakorduar një takim me grupet regjistruese dhe për ata të cilët nuk do t’i përgjigjen me korrektësi këtij procesi do të ketë penalitete.
Procesi i grumbullimit të dhënave zgjat 6 javë. Për herë të parë të dhënat do të grumbullohen në mënyrë digjitale, çka do të lehtësojë dhe përshpejtojë procesin e përpunimit të tyre. Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Pyetësorët janë me tetë module dhe 100 pyetje.
Në modulin për individ do të përfshihet një informacion të gjerë për statusin civil, arsimin, punësimin e të tjera. Po ashtu, do të ketë modul për shtëpitë, sektorin e bujqësisë dhe sektorë të tjerë. “Etniciteti, Gjuha, feja”, janë tre pyetjet e vetme të formularit që nuk janë të detyrueshme për t’u përgjigjur. Për ata qytetarë që nuk do t’u përgjigjen pyetjeve tre herë rresht apo do të japin përgjigje të rreme ka penalitete. Penaliteti nis nga 50 mijë lekë të rinj gjobë deri në 100 mijë lekë të rinj.
Ndërkohë, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse dhe Komuniteti Mysliman Shqiptar u kanë bërë thirrje të gjithë besimtarëve që të deklarojnë përkatësinë fetare.
Procesi i marrjes së të dhënave në terren do të zgjasë gjashtë javë dhe mbyllet me 28 tetor. Më pas do të publikohen të dhënat e para në qershor 2024, ndërsa më të detajuara në dhjetor 2024.
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censusi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Censi duhej të ishte realizuar në vitin 2020, por për shkak të pandemisë dhe problematikave të tjera u shtri me tri vite. Censi i fundit është zhvilluar në vitin 2011, ku rezultoi se popullsia ishte 2,821,977, me një rënie prej 8%, nga Censi 2001.
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) për raundin e vitit 2020 të Censeve dhe gjithashtu me rregulloret e fundit të BE-së për zbatimin Censit të Popullsisë dhe Banesave.