Sot bëhet një vit nga aksidenti tragjik në autostradën te Slavonski Brod në Kroaci, ku humbën jetën 10 persona dhe 45 të tjerë u lënduan në autobusin me targa të Kosovës.
Në autobus kishte 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë dhe dy shoferë , ndërsa nëntë pasagjerë dhe një shofer humbën jetën.
Autobusi ishte nisur nga Frankfurti i Gjermanisë drejt Prishtinës dhe i përkiste një kompanie nga Kosova, ndërsa u aksidentua në autostradën A3 Zagreb- Lipovac.
Presidentja Vjosa Osmani e shpalli ditë zie në Kosovë, 25 korrikun, për shkak të këtij aksidenti tragjik.
Sipas mediave kroate, shoferët e autobusit nga Kosova me emigrantë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit.
Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.
Ky u cilësua si aksidenti më tragjik në rrugët e Kroacisë në 15 vitet e fundit.





