5 gusht 2015 – Skënderbeu luan sonte në mbrëmje një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e klubit, korçarët janë vetëm 90 minuta larg një suksesi historik, pasi nëse kalon moldavët e Milsamit bëhet skuadra e parë shqiptare që kalon në fazën play-off” të ligës së kampionëve si dhe siguron pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Europa League.

Me fitoren 2-0 arritur në ndeshjen e parë, korçarët kanë në dorë shanset e veta për të prekur historinë.

Korçarët mbyllën dje në mbrëmje përgatitjet për këtë sfidë me një seancë stërvitore të zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, atje ku sot përballen kundër moldavëve të Milsamit.

Josa pritet të hedhë në fushën e lojës thuajse të njëjtin formacion që aktivizoi në ndeshjen e parë në “Zimbru Arena” të Kishinievit. Për këtë sfidë, trajneri Josa nuk do të ketë të gatshëm Tefik Osmanin e dëmtuar dhe Renato Arapin të pezulluar me tri ndeshje nga komisioni disiplinor i UEFA-s.

Për mbarëvajtjen e këtij takimi nga organizatorët janë marrë të gjitha masat e duhura për të shmangur qoftë dhe incidentin më të vogël.

Drejtuesit më të lartë të klubit korçar, presidenti Ardian Takaj dhe drejtori Ilirjan Përmeti kanë parë dje nga afër të gjitha ambientet e stadiumit “Elbasan Arena”.

Pritet nje stadiuim i tejmbushur ku janë shitur të gjitha biletat e vëna në dispozicion, ku pjesa më e madhe e tyre është shitur në Korçë, ku sportdashësit korçarë do të jenë të shumtë sot në “Elbasan Arena” në mbështetje të skuadrës së tyre.

Gjithçka në stadiumin “Elsbasan Arena” duket në kushte perfekte në prag të përballjes së sotme mes kampionit tonë Skënderbeu dhe kampionit moldav Milsami.

Drejtimin e kësaj ndeshje UEFA ia ka besuar një tresheje gjyqtarësh portugezë me kryesor 36-vjeçarin Artur Dias, i cili gjykon për herë të parë një skuadër shqiptare, i ndihmuar nga asistentët e tij Rui Tavarez dhe Paolo Suarez, ndërkohë delegat i UEFA-s do të jetë bullgari Pavël  Kolev.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/