Parlamenti zhvillon sot seancën e radhës plenare ku në rendin e ditës janë parashikuar për diskutim dhe votim disa projektligje.

Ndër më të rëndësishmet janë projektligji për studentët e Mjekësisë dhe kanabisi për qëllime mjekësore.

Sipas projektligjit, studentët e Mjekësisë pas përfundimit të studimeve do të duhet të punojnë në vend për 5 vite në mënyrë që të marrin diplomën. Sipas qeverisë, kjo bëhet për të frenuar largimin nga Shqipëria të mjekëve të rinj. Një pjesë e studentëve e kundërshtojnë këtë nismë.

Edhe opozita e kundërshton si projektligjin për Mjekësinë, ashtu dhe atë për kanabisin mjekësor.

Një ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha paralajmëroi se do të kërkojnë në Parlament që të zhvillojnë interpelancë me Kryeministrin për inceneratorët. Konferenca e Kryetarëve që u mblodh dy ditë më parë i rrëzoi kërkesat e opozitës për interpelancë urgjente dhe mocion me debat me Kryeministrin për inceneratorët.