Parlamenti do të mblidhet sot në orën 10:00 për të diskutuar çështje të rendit të ditës dhe për të votuar projektligjet e parashikuara.
Në pikat e rendit është parashikuar që në nisje një interpelancë e ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi e kërkuar nga deputeti socialist Nasip Naço.
Por opozita ka paralajmëruar një ditë më parë se edhe seancën e sotme plenare nuk do ta lejojë që të zhvillohet.
Njësoj siç veproi seancën e së hënës, ashtu dhe nëpër komisionet parlamentare gjatë kësaj jave, deputetët e opozitës do të tentojnë bllokimin e seancës plenare.
Opozita thotë se këtë sjellje e ka të imponuar nga mazhoranca që nuk respekton të drejtat kushtetuese të pakicës parlamentare.
Një ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se “për sa kohë nuk lejohet funksionimi i opozitës, nuk do të ketë veprimtari normale të jetës parlamentare”.