Sot në mbrëmje amerikanët do të kenë mundësi të ndjekin debatin e fundit presidencial, i cili mendohet të jetë përcaktues për ata votues ende të pavendosur se për kë do të votojnë. Debati do të drejtohet nga Bob Schieffer, një veteran i televizioneve amerikane, njeriu simbol i Cbs News.

Debati do të nisë në orën 21.00, ose në 03.00 të mëngjesit me orën tonë. 75 vjeçari Bob Schieffer është një nga të paktët gazetarë amerikanë që ka mbuluar me raportimet e tij katër institucionet më të fuqishme në SHBA; Shtëpinë e Bardhë, Pentagonin, Departamentin e Shtetit dhe Kongresin. Ai ëhstë shumë mik me Jim Lehrer, moderatorin e debatit të parë, i cili u kritikua fort nga të dy palët pasi nuk arriti t’i drejtonte kandidatët. Nga ana e tij Schieffer ka premtuar se nuk do të bëjë të njëjtat gabime.

Presidenti Obama, guvernatori Romney dhe kandidatët për nënpresident u përqendruan në shtetet e pavendosura të mërkurën, ku secili kandidat po mundohet t’u mbushë mendjen votuesve që pala e tyre kishte fituar debatin. Obama shkoi përsëri për vizitë në shtetet kyçe Iowa dhe Ohio. Në Mount Vernon, Iowa, kandidati demokrat përsëriti kundërshtimin e tij se agjenda ekonomike e kundërshtarit të tij ndryshon nga planet e suksesshme të presidentëve të mëparshëm.

“Plani i tij i taksave nuk ka kuptim. Plani i tij i punës nuk shton vende pune. Plani i tij për zvogëlimin e defiçitit e shton defiçitin. Ju të gjithë e dinë si është puna, Mitt Romney po mundohet t’u ofrojë një  marrëveshje të paqartë.” Shumë anketa pas debatit tregojnë se një shumicë e vogël e votuesve besojnë se zoti Obama e fitoi debatin dhe se ai doli më mirë se zoti Romney në çështjet e grave. Por anketat gjithashtu e tregojnë zotin Romney me një avantazh të dukshëm ndaj zotit Obama përsa i përket çështjeve ekonomike. 

Kandidati republikan Mitt Romney u tha të pranishmëve në një tubim në Chesapeake Virginia se ekonomia amerikane është çështja kryesore në mendjen e grave dhe se ai është më i përgatitur për ta trajtuar këtë çështje. “Në takimet e mia në mbarë vendin, kur i pyes gratë se ç’farë ndihme mund të jap për to, ato më thonë na ndihmo të gjejmë një punë të mirë për bashkëshortin dhe më ndihmo fëmijët. Na siguro që fëmijët të kenë një të ardhme të ndritshme. Shkolla më të mira dhe shanse më të mira për punën. Këto janë shqetësimet e grave në Amerikë dhe zgjidhjet për këtë po vijnë nga ne dhe jo nga Barack Obama.” 

Kandidati republikan për nënpresident Paul Rayan kishte një mesazh të ngjashëm për përkrahësit në një tubim në afërsi të Clevelandit të shtetit Ohio tha: “Ne pamë një president që nuk ofroi asnjë ide apo mësim nga dështimet në katër vjet.  Ajo që pamë tek guvernator Romney ishte një udhëheqës që ka zgjidhjet, që ka idetë se si të ndreqë ekonominë, se si të krijojë vende pune.” 

Ndërkohë nënpresidenti Joe Biden, duke bërë fushatë në Greely të shtetit Colorado, dha një pamje të ndryshme të presidentit Obama. “Të gjithë ju patë njeriun me të cilin punoj mesatarisht 4 deri 6 orë në ditë. Një burrë parimor, energjitik të qendrueshëm dhe me vizion të qartë. Këtë pa Amerika në debatin presidencial.” 

Avantazhi i presidentit Obama në anketat publike ka rënë dhe ndoshta është fashitur pas asaj që është konsideruar gjerësisht si paraqitje të dobët në debatin e parë presidencial me 3 tetor. Profesori i gazetarisë Alan Shroeder me Universitetin Northeastern në Boston të shtetit Massachusetts thotë se interpretimi më i mirë i presidentit në debatin e dytë mund të ndihmojë në ndalimin e rënies së mbështetjes ndaj tij.  
 

“Ishte një fitore shumë e nevojshme për Obamën sepse e kishte pësuar keq në debatin e parë. Obama kishte nevojë të ndryshonte trajektoren e kahjes pozitive drejt Romneyt. Mendoj se debati i fundit i dha atij këtë.” Debati i tretë dhe i fundit presidencial, do të përqendrohet në politikën e jashtme, kur duhen vetëm 15 ditë deri në zgjedhje.

Dewe Clayton me Universitetin Louisville në Kentucky thotë se kandidatët mund të jenë më të kujdesshëm lidhur me komentet e tyre gjatë debatit përfundimtar. “Mendoj se debati i dytë ishte i papërmbajtur. Do të jetë me interes të shihet nëse debati i fundit do të marrë një qëndrim ndryshe, do të jetë më madhështor dhe më i rezervuar, apo më i kujdesshëm.” 

Pjesa dërrmuese e anketave tregojnë se presidenti Obama dhe guvernatori Romney gëzojnë mbështetje pothuajse të barabartë.