Kryeministri Edi Rama shkruan në Facebook se është shumë pranë sigurimit të një sasie dozash të konsiderueshme vaksinash nga AstraZeneca.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shton se ditën e sotme do të nisë me 7020 doza lëvrimi i përjavshëm i vaksinës nga Pfizer.

Rama nuk harron pa thumbuar edhe opozitën për të cilën thotë se i siguron vaksinat përmes mbledhjeve me partitë si motra. Ai i kujton kritikëve të tij faktin që Shqipëria është një prej dy vendeve në rajon që ka nisur vaksinimin.

POSTIMI I PLOTË

Sot nis me 7020 doza lëvrimi i përjavshëm i vaksinës antiCOVID nga kontrata me Pfizer dhe intensifikimi i planit të vaksinimit, ndërkohë që jemi shumë pranë sigurimit të një sasie dozash të konsiderueshme nga vaksina AstraZeneca

Aktivizohet sot skenari i parë i përfshirjes së spitaleve rajonale për përballimin e nevojës për shtrime në spital, ndërkohë që respektimi i masave kufizuese në fuqi mbetet domosdoshmëri deri në afatin e përcaktuar nga Komiteti Teknik.

Mbi 90 mijë teste të shpejta janë kryer në 54 pikat e testimit në komunitet përveç testit PCR, ndërkohë që vijon intensifikimi i përpjekjeve në terren për të këputur hallka të zinxhirit të infektimeve.

Zotimet e atyre që thonë se vaksinat do i sigurojnë në mbledhjet e partive simotra apo që drejtojnë gishtin e akuzës ndaj qeverisë, ndërkohë që Shqipëria është një nga dy vendet e vetme në rajon që ka siguruar nisjen e vaksinimit, janë një arsye për ta neveritur politikën e futjakotësisë!

#PunëJoGjumë

#SkaKohëPërPushim

#ShqipëriaBuzëqesh