Partia Demokratike pritet të zhvillojë këtë të premte, në orën 19:00 protestën e radhës në kryeqytet, të cilën lideri demokrat Sali Berisha e ka cilësuar si pjesë të një “kryengritjeje paqësore”.

Në deklaratat e tij të fundit, Berisha është shprehur se opozita ndodhet “në kilometrin e fundit” të aksionit politik.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masat e nevojshme, ndërsa u ka bërë thirrje protestuesve për respektimin e kufijve të lejes së protestës dhe zbatimin e ligjit gjatë zhvillimit të tubimit. Sipas kreut të Policisë së Shtetit Skënder Hita, protesta është e autorizuar vetëm në hapësirën e përcaktuar në Bulevard, ndërsa çdo devijim nga itinerari i miratuar do të sjellë ndërhyrjen e strukturave ligjzbatuese.

“Përsa i përket protestës që do të zhvillohet nesër, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që protesta të organizohet dhe të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore. Leja është kërkuar për bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe aty duhet të jetë e përqendruar. Në rast të veprimeve joligjore nga ana e protestuesve do të veprohet në bazë të procedurave standarde dhe në bazë të ligjit dhe Kodit Penal”, deklaroi Hita ditën e djeshme gjatë një konference për mediat.

Rrugët që do të bllokohen

Nga ora 23:45 e datës 7 maj deri në përfundim të tubimit, është bllokuar lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi në bulevardin Dëshmorët e Kombit, nga zona e njohur si Ura e Dajtit deri te rruga “Ismail Qemali”.

Nga ora 15:00 e datës 8 maj deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në segmentin nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te Sheshi Nënë Tereza.

Kufizime do të ketë gjithashtu edhe në rrugët: “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.