Pasditen e sotme opozita do të mbajë protestën kombëtare të paralajmëruar prej disa ditësh tashmë. Protesta pritet që të zhvillohet përpara kryeministrisë, ndërsa nuk dihet saktësisht se për sa orë do të vazhdojë.

Nga ana tjetër, policia e shtetit ka dalë në një njoftim zyrtar një ditë më parë, duke njoftuar se për shkak të protestës që pritet të nisë në orën 16:00, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të lëvizjes së pjesëmarrësve në  tubim.

Konkretisht segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, duke filluar prej orës 15:00, të datës 12.11.2022, deri në përfundim të tubimit, janë:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Policia bën thirrje që qytetarët të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative.