Ashtu siç ka paralajmëruar kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, PD do të mbajë këtë të shtunë protestën kombëtare përpara Kryeministrisë.
Protesta pritet të nisë në orën 17:00, ndërkohë që Berisha ka deklaruar se kjo protestë do të jetë e fuqishme dhe se Rama do të largohet nga pushteti.
Ndërkaq, policia ka ndërmarrë masa për të siguruar mbarëvajtjen e protestës. Disa segmente kryesore do të bllokohen për automjetet private, përfshirë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri te rruga “Ismail Qemali”.
Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit do të bllokohen segmenti nga Ministria e Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza” dhe rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Qytetarët këshillohen të përdorin rrugë alternative dhe të respektojnë udhëzimet e policisë për të mos penguar lëvizjen e pjesëmarrësve.
Bllokime dhe kufizime të qarkullimit
Në kuadër të zhvillimit të protestës, Policia e Tiranës njofton se do të ketë kufizime të qarkullimit dhe ndalim parkimi në disa akse kryesore të kryeqytetit. Konkretisht, nga ora 23:45 e mbrëmjes së djeshme do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ deri në rrugën ‘Ismail Qemali’”.
Po ashtu, ditën e sotme, nga ora 15:00 deri në përfundim të protestës, do të ketë bllokim të plotë të qarkullimit të automjeteve në disa segmente të rëndësishme rrugore. “Do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi ‘Nënë Tereza’, si dhe në rrugët ‘Ukraina e Lirë’, ‘Papa Gjon Pali II’ dhe ‘Ismail Qemali’”, njofton policia.
Devijim trafiku
Policia paralajmëron se, në varësi të zhvillimit të tubimit dhe situatës në terren, mund të ketë kufizime edhe në akse të tjera rrugore të kryeqytetit. Në raste të tilla, janë parashikuar masa për devijimin e qarkullimit në rrugë alternative, me qëllim lehtësimin e lëvizjes për qytetarët. “Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative”, thuhet më tej në njoftim.
“Përdorni rrugë alternative”
Në përfundim, Policia e Tiranës u bën apel qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në zonat që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar mbarëvajtjen e tubimit.
Gjithashtu, duke iu referuar disa deklaratave publike, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm. “I bëjmë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike”, përfundon njoftimi i Policisë së Tiranës.





