Pasditen e sotme qytetarët do të protestojnë në sheshin “Skënderbej” për vrasjen e Egli Progës, 42-vjeçari nga Pogradeci i cili u dhunua për vdekje nga Denis Meçe.

Policia njofton se ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës.

“Për shkak të zhvillimit të një tubimi ditën e sotme në orën 19:30, parashikuar për tu zhvilluar nga sheshi “Skënderbej” deri te Kryeministria, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve.

Njoftojmë qytetarët se sot, prej orës 19:30 e deri në përfundim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, segmenti i rrugës “Myslym Shyri” nga Gjykata e Lartë deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Policia apelon për të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugët “Ibrahim Rugova” dhe “Papa Gjon Pali” si rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit”, thotë policia.

Ndërkohë ditën e djeshme, reagoi edhe motra e të ndjerit Egli Proga, Jonida Proga, e cila theksoi se nuk ka për tu ndalur deri në momentin që të gjejë drejtësi për vrasjen e vëllait të saj.

Postimi i plotë:

Miq, dashamirës, qytetarë të mirë të vendit tonë që këto ditë tragjike për familjen time na jeni gjendur kaq pranë. Vetëm mbështetja juaj na ka dhënë pak forcë të përballojmë dhimbjen e vrasjes makabre të vëllait tonë, Eglantin Progës.

Faleminderit nga zemra të gjithëve kudo jeni!

Nesër në dt. 19 gusht, ora 19:00 do të jem në sheshin “Skënderbej” me familjen time, në marshimin: Drejtësi Për Eglin !

Do të jem aty jo vetëm për Eglin tim, që më sheh nga Lart në Qiell, por edhe për Drejtësinë që unë në emër të tij kërkoj në Tokë, në Shqipëri.

Unë nuk do ndalem sa të kem frymë e të gjej drejtësi për Eglin.

Ju ftoj edhe ju pa dallim e ngjyrim, të më bashkoheni në këtë marshim dhimbje, për t‘i thënë me heshtje dhe frymë: Stop kriminelëve të tjerë që do guxojnë të vrasin Eglin tuaj!