Sot zhvillohet provimi i parë i Maturës Shtetërore 2020, ai i gjuhës së huaj. Për shkak të pandemisë, masat këtë vit janë edhe më strikte për maturantët, ata duhet të paraqiten në ambientet e shkollës në orën 08:30 të mëngjesit, ku do t’iu matet temperatura dhe do të kryhen procedurat e nevojshme para nisjes së testit në orën 10:00, i cili do të zgjasë dy orë.

Ndërkohë që maturantët janë paraqitur në orën e përcaktuar, vihet re një kakofoni, të paktën te “Leonik Tomeu” në Durrës, një nga gjimnazet me numrin më të madh të maturantëve në qytet.

Nga njëra anë nxënësit duhet të futen një nga një, duke mbajtur distancën e përcaktuar në ambientet shkollore; e nga ana tjetër të gjithë janë mbledhur te dera e shkollës duke mbajtur radhën, por të gjithë shumë pranë njëri-tjetrit.

Si rregull, në një sallë do të jenë mesatarisht 10 maturantë, dhe bankat do të jenë në një distancë prej 1.5 – 2 metra.

2600 maturantë do t’i nënshtrohen provimit të parë të Maturës Shtetërore në gjimnazet e qytetit të Durrësit. Ndërsa rreth 158 të tjerë janë përsëritës nga viti i kaluar. Për mbarëvajten e procesit janë angazhuar 31 përgjegjës administrimi së bashku me 31 përfaqësues të Zyrës Arsimore. Ndërsa 400 mësues do të angazhohen si administratorë provimesh për Zyrën Vendore Arsimore Durrës në 31 qendrat e provimit.

Në rang vendi janë 32 126 maturantë që do t’i nënshtrohen testit, që do të zhvillohet në 486 qendra provimi gjithsej.

Datat e tjera të provimeve të Maturës Shtetërore

  • 1. Gjuhë Shqipe – 11 qershor 2020
  • 2. Matematikë – 15 qerhor 2020
  • 3. Provimi me zgjedhje – 18 qershor 2020