Pas arritjes së marrëveshjes Rama-Basha dhe pas publikimit të emrave të ministrave të rinj teknik, Kuvendi do të mblidhet sot në orën 18:00 në një seancë të jashtëzakonshme.

Në këtë seancë pritet të shkarkohen ministrat aktualë dhe të miratohen në vend të tyre ministrat teknikë të propozuar nga Partia Demokratike, por gjithashtu edhe kryetari i KQZ-së.

Rendi i ditës së kësaj seance do të përmbajë diskutimin dhe votimin e çështjeve për vënien në zbatim të marrëveshjes politike të datës 18 maj 2017, mes kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. 

Kuvendi do të miratojë gjithashtu edhe një paketë ligjore në funksion të reformës zgjedhore.

Ndyshime do të ketë në kodin penal, ku do të ashpërsohen nenet për krimin zgjedhor, gjithashtu do të ndryshohet ligji për partitë politike, dispozitat që lidhen me financimet dhe reklamat në fushatë.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme, do të miratohen edhe anëtarët e pakicës parlamentare në 3 komisionet “ad hoc” të vettingut.