Gjykata Kushtetuese do të rimblidhet sot për çështjen e shkarkimit të Presidentit Ilir Meta, vendim që u mor nga Parlamenti i legjislaturës së kaluar.

Kushtetutesja do të vazhdojë shqyrtimin e këtij vendimi pas seancës maratonë të datës 1 shkurt. Sot, trupa gjykuese e Kushtetueses do të dëgjojë argumentet e Presidentit përse ai e quan antikushtetues shkarkimin nga Parlamenti në Qershor 2021 pasi Komisioni Hetimor i ngritur prej tij arriti në përfundimin se kreu i shtetit kishte shkelur rëndë Kushtetutën me qëndrimet dhe deklaratat e mbajtura gjatë procesit zgjedhor të 25 Prillit.

Në seancën e 1 shkurtit, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e përfaqësuesit ligjor të Presidentit, që kërkoi shkarkimin e trupës gjykuese.

Po ashtu nga presidenca u kërkua që për shkak se shkarkimi i Metës ishte bërë nga një parlament të cilit i ka përfunduar mandati në shtator 2021, duhet kërkuar një autorizim nga parlamenti aktual për të legjitimuar vazhdimin e procedurës se shkarkimit nga Gjykata. Për këtë pretendim të presidentit, Gjykata tha do të shprehej në vendimin përfundimtar.