Këtë të hënë do të diskutohet në Parlament projektbuxheti i vitit të ardhshëm, i cili për herë të parë kap një vlerë prej 7 miliardë eurosh. Seanca është planifikuar të nisë në orën 10:00 dhe në bazë të rendit të ditës, pritet të miratohen dhe disa projektligje të tjera:
-Projektligji për disa ndryshime në ligjin për akcizat
-Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për procedurat tatimore
-Projektligji për disa ndryshime në ligjin për taksat kombëtare
-Projektligji për disa shtesa në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar
Janë parashikuar dhe diskutime për çështjet e mësipërme, por duke marrë parasysh deklaratën e para 3 ditëve të kryedemokratit Sali Berisha, gjasat që punimet e Parlamentit të zhvillohen në kushte normale janë të ulëta.
Kujtojmë se thuajse prej një muaji, ka pasur tensione në sallën e Kuvendit ku deputetët e opozitës pretendojnë se mazhoranca nuk po i lejon të kenë përfaqësimin e tyre në Komisionin për Reformën Zgjedhore, e nga ana tjetër sipas tyre, po pengohen në krijimin e komisioneve të tjera hetimore.
Projektbuxheti për vitin 2024 u miratua në parim në Komisionin e Ekonomisë me vetëm 1 votë kundër, nga deputeti i PD, Edmond Spaho. 1/3 e shpenzimeve të përgjithshme publike do të shkojnë për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike dhe çështje të tjera sociale. Prioritet ka arsimi, shëndetësia, turizmi, bujqësia, infrastuktura dhe energjia. Investimet publike do të marrin pjesën më të madhe të financimit, 128.5 miliardë Lekë.