Ditën e sotme do të zhvillohet seancë parlamentare. Deputetët pritet që të mblidhen në orën 10:00. Siç mësohet në faqen zyrtare të parlamentit, pritet që në fillim të zhvillohet një seancë e posaçme në kujtim të viktimave të Holokaustit. Koha në dispozicion për fjalime do të jetë 1 orë. Mes atyre që janë parashikuar të flasin është edhe Kryeministri Edi Rama.
Më pas, në orën 11:00 do të zhvillohet një interpelancë me pyetje për ministren e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi dhe interpelancë me ministren e Kulturës, Elva Margariti. Të tjera çështje në diskutim janë ndryshime në ligjin për buxhetin, taksat etj.
Një tjetër projektvendim që do të diskutohet është edhe ajo për ngritjen e komisionit hetimor për shpenzimet e udhëtimeve me avion të Kryeministrit Edi Rama. Është parashikuar që për këtë çështje të ketë diskutime 20 minuta, ku secila palë do të japë mendimet pro dhe kundër.
Kjo seancë parlamentare zhvillohet pas akuzave të opozitës ndaj kryeministrit Rama për arrestimin e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal. Berisha thotë se Rama duhet të japë dorëheqjen pasi sipas tij kreu i qeverisë ka përdorur mjete të paligjshme për të korruptuar Charles McGonigal.