Në rendin e ditës sot të Parlamentit të firmosurnga kryeparlamentarja Lindita Nikolla është futur projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion.
Grupi parlamentar demokrat i drejtuar nga Gazment Bardhi deklaroi në bllok votën kundër.
“Kemi marrë një vendim që nuk e mbështesim me vite ngritjen e këtij komisioni. Kur ne nuk mbështesim ngritjen e këtij Komisioni dhe nuk japim konsensus sepse s’jemi pyetur si mund të marrim pjesë në një komision siç do Edi Rama”-u shpreh Gazment Bardhi.
Demokratet ishin të bashkuar në qëndrim, por mes tyre pati edhe zëra ndryshe sa i takon bojkotit.
Salianji: Qartësisht për mua nuk duhet të këtë asnjë pjesëmarrje në një Komision që u bë në mënyre të njëanshme, u propozua si platformë elektorale nga Edi Rama.
Xhaferri: Për çfarë duhet të marrim pjesë në këtë komision? Që në dite të hënën të miratojmë rezolutën dhe të martën të dalim protestë para Bashkisë, ku është logjika këtu?
Çupi: Sipas meje asnjë vend që i takon opozitës nuk duhet të lihet bosh, por unë do pranoj çdo vendim të grupit.
Zhvillimet në kampin blu vendosen në pikëpyetje miratimin e ngritjes së Komisionit në seancën e së enjtes.
Top Channel ka mësuar se grupi parlamentar i Partisë Socialiste po shqyrton opsionin e tërheqjes se projektvendimit nga rendi i ditës ndërkohë para seancës plenare është parashikuar edhe një mbledhje e konferencës së kryetarëve që po shihet edhe si një mundësi për të gjetur një dakortësi me opozitarët.