Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të prishë sot pasdite, me shpërthim të kontrolluar pallatin e Kastratit në Durrës, i cili u spostua gjatë tërmetit të nëntorit të kaluar dhe nga ekspertët u klasifikua i pabanueshëm.

Për realizimin e shpërthimit, janë hapur në trupin e objektit 5 mijë furnela (vrima) dhe do të përdoren 130 kilogramë lëndë eksplozive. Vetëm pak ditë më parë, për dobësimin e strukturës së këtij pallati, IKMT kreu shpërthime të brendshme.

IKMT iu kërkon banorëve dhe bizneseve rreth këtij pallati në rrugën “Dalip Peza” që me datë 03.10.2020, nga ora 11:00 – 17:00 të largohen nga banesat dhe të marrin masa duke hapur dyert e dritaret, pajisjet elektronike t’i ulin në dysheme dhe çdo masë tjetër që shihet e arsyeshme. Shpërthimi do të realizohet në orën 15:00!

Më datë 20 shtator,  IKMT realizoi për herë të parë një procedurë për shembjen e kësaj godine në Durrës, ku u përdorën 88 kilogramë lëndë plasëse në 1200 furnela (vrima), duke kryer shpërthime në të gjitha katet e brendshme të godinës.

Sipas specialistëve, kjo procedurë është përdorur pasi muret e objektit kanë qenë beton arme me dy zgara hekuri nga themelet deri në kat të fundit, me 40 cm trashësi dhe ishte e pamundur që objekti të shembej me mënyrat e zakonshme.

Deri tani vetëm në Durrës, janë prishur rreth 100 objekte të dëmtuara nga tërmeti.