17 vjet me parë NATO hyri në Kosovë, për t’u dhënë fund masakrave dhe genocidit serb mbi qytetarët e Kosovës. 

Të parët që kanë zbarkuar kanë qenë njësitë britanike. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

Ndërhyrja e NATO-së në Kosovë, i parapriu një luftë të ashpër në mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, dhe pas shumë masakrave të kryera ndaj civilëve nga paramilitaret serbë.  Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson.

Nga kjo marrëveshje, Serbia ishte detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova, dhe kjo u arrit pas bombardimeve të NATO-së mbi caqet serbe, të cilat zgjatën 78 ditë më radhë.