TIRANË- Përfaqësuesja shqiptare e futbollit do të ndeshet sot, ora 20:30, në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" me Norvegjinë, për të vijuar ëndrrën drejt Botërorit "Brazil 2014". 

Sfida e sotme pritet me optimizëm pas fitores së parë në Norvegji me gol të Hamdi Salihit, i cili është shprehur besues në faqen e tij zyrtare të FaceBook.

“Të dashur miq, sonte luhet superndeshja. Me takikardi po e presim fitoren që na afron pranë Rios.
Emocionet nuk shërbejnë por fitorja, sipas premtimit, do shpërblehet me 200 mijë euro. Le ti urojmë të gjithë sëbashku suksese ekipit tonë!! Sb” ka shkruar ai.
 

Deklaratat e teknikut dhe disa prej lojtarëve: 

Tekniku i Shqipërisë, italiani Gianni De Biasi, ka disa ditë që ka mbledhur sportistët e tij në mënyrë që të përgatiten sa më mirë që është e mundur për këtë duel tejet të rëndësishëm. Shqipëria, që aktualisht zë vendin e dytë në Grupin E, kësaj sfidë do t’i hyjë pas fitores së madh të arritur në Oslo, ndonëse me disa mungesa të lojtarëve kyç. Tekniku italian shpreson se të përzgjedhurit e tij edhe në takimin e kthimit kundër norvegjezëve do të shfaqin performancë të mirë. Ai beson se skuadra e tij do të marrë rezultat pozitiv nga kjo ndeshje. 
“Ne kemi fituar ndeshjen e parë ndaj Norvegjisë në Oslo, por sigurisht që duhet te jemi të kujdesshëm në ndeshjen e radhës. Ne kemi disa mungesa të rëndësishme, por kam ftuar lojtarët që janë në formën më të mirë dhe të cilët mund të marrin rezultat pozitiv nga ky takim", ka thënë De Biasi. 
Optimist për fitoren e radhës të Shqipërisë, është shprehur edhe sulmuesi Erjon Bogdani. Ai kërkon nga skuadra e tij maksimumin në këtë ndeshje të rëndësishme. “Nuk do të thosha se është ndeshje më e rëndësishme për ecurinë e mëtejme, por ne duhet të japim maksimumin nga kjo ndeshje nëse duam rezultat pozitiv", ka theksuar Bogdani. 
Mbrojtësi kosovar i kuqezinjve, Armend Dallku, mendon se Norvegjia do të jetë skuadër më e fortë se në Oslo. “Ne kemi fituar në Oslo, por mendoj se Norvegjia në ndeshjen e radhës do të jetë më e fortë dhe e motivuar për fitore. Ata na kanë nënvlerësuar në Oslo, andaj në takimin e radhës ata hyjnë të motivuar maksimalisht për fitore. Ne duhet të tregohemi një Shqipëri e kujdesshme dhe të përfitojmë nga gabimet e tyre në mënyrë që të marrim rezultatin që dëshirojmë”, është shprehur Dallku. 

Mungesat: 

Kombëtarja jonë pritet që në këtë takim të paraqitet me mungesa të ndjeshme, por edhe me jo më pak se tetë debutantë, të cilët për herë të parë mund të bartin fanellën kuq e zi. Lorik Cana, Andi Lila dhe Odise Roshi, tri lojtarë standardë do të mungojnë në këtë sfidë, që shton ndjeshëm problemet për trajnerin De Biasi, i cili duhet që ndoshta me të rinj të luajë në këtë takim. Debatik Curri i është shtuar listës së mungesave me dëmtimin e pësuar të martën në stërvitje dhe opsionet për zëvëndësimin e tij, duke parë dhe mungesën e Canës janë Admir Teli dhe Tefik Osmani. 

Kryeministri Berisha: 200 mijë euro shpërblim nëse fiton kombëtarja 

Ashtu siç kishte premtuar ditë më parë, kur ai vizitonte komëbatren në Durrës, Kryeministri Sali Berisha do të shpërblejë kuqezinjtë me plot 200 mijë euro nëse Shqipëria arrin të fitojë me Norvegjinë. Numri një i Qeverisë Shqiptare do të jetë i pranishëm në stadiumin “Qemal Stafa”, për të mbështetur ekipin shqiptar. Ai u ka uruar fat edhe disa ditë më parë, ndërsa sot u ka premtuar premio ekstra për fitoren. Edhe FSHF-ja nga ana e saj ka premtuar për të paktën 100 mijë euro premio, duke e çuar kështu shpërblimin në të paktën 300 mijë euro, si asnjëherë tjetër më parë. Ndërsa MTKRS-ja ka premtuar se në rast kualifikimi në Botëror, premio do të jetë speciale, e paimajginuar më parë. 

Biletat, janë shitur të gjitha 
Ende pa mbushur 24 orë nga dalja zyrtare në shitje e biletave për sfidën e të premtes mes Shqipërisë dhe Norvegjisë, burime zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit konfirmojnë se numri i biletave të kërkuara nga tifozët është shumë më i madh se numri i biletave në dispozicion. 

Sipas FSHF-së, nga 16 900 vende ulur që ka stadiumi "Qemal Stafa", 10 mijë bileta janë prenotuar online, ose përmes kërkesave të ardhura nga individë apo institucione të ndryshme, shtetërore dhe private. 

Nga këto, 300 vende janë për tifozët miq, 700 janë zyrtarë të institucioneve të ndryshme, ministri, drejtori, gjykatë, prokurori, deri tek ambasadat. Pjesa tjetër, pra rreth 7 mijë bileta, janë hedhur dje në treg. 

Si asnjëherë tjetër, nga 900 bileta që kanë në tërësi tribuna qendrore, A dhe B, rreth 700 janë të prenotuara nga administrata shtetërore dhe politikanë. 

Masta e Policisë për mbarëvajtjen e sfidës: 

-Policia e Kryeqyetit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e sfidës në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa ” mes ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe Norvegjisë, ndeshje e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror të Futbollit. 

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, bën të ditur se ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të këtij aktiviteti sportiv. 

Gjatë hyrjes së sportëdashësve në stadium, nga ana e policisë do të ushtrohet kontroll i imtësishëm në drejtim të parandalimit të futjes në stadium nga tifozët, të sendeve të ndaluara si, mjete e sende të forta, fishëkzjarre, shishe të ndryshme, kapsolla, flamuj me shkopinj, parrulla me mbishkrime jo të përshtatshme etj. 

Policia i bën apel qytetarëve për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e tyre, për bllokimin e segmenteve rrugore që të çojnë për në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë, duke filluar nga ora 14.00 deri më 24.00, duke bllokuar qarkullimin në rrugët “Dervish Hima”, “Asim Zeneli” dhe “Perlat Rexhepi” si dhe Sheshin “Nënë Tereza” deri tek Presidenca. 

Rruga e Shqipërisë deri në sfidën e sotme: 

Pas fitores në Norvegji, gjatë muajit mars me gol të Hamdi Salihit, Shqipëria i mbylli ndeshjet e para në grup në vendin e dytë, pas Zvicrës kryesuese. 

Klasifikimi pas 5-së ndeshjeve të para kryesohet nga Zvicra me 10-të pikë, më pas vinë Shqipëria dhe Islanda me 9-të pikë, Norvegjia 7-të pikë, Qipro 3 dhe Sllovenia 3 pikë. 

Kuqezinjtë kanë grumbulluar 3 fitore dhe dy humbje, duke shënuar 6 gola dhe pësuar 5. 

Rrugëtimi i skuadrës së De Biazit ka nisur në 'Qemal Stafa' ndaj Qipros, ku përfaqësuesja jonë fitoi 3-1, më tej pësuam humbjen e parë në Zvicër ndaj vendasve me rezultatin 2-0, ashtu siç bëmë edhe në 'Qemal Stafa' ndaj Islandës ku humbëm 1-2, por më pas Kombëtarja mori dy fitore, 1-0 ndaj Sllovenisë dhe akoma më tej në Oslo, gjatë muajit mars mundi Norvegjinë me rezultatin 1-0. 

Lista e plotë me 26 emrat: 

1. Samir Ujkani, Kievo, 
2. Etrit Berisha, Kalmar

3. Orges Shehi, Skenderbeu 
4. Admir Teli, Karabak 
5. Debatik Curri, Genclebirligi

6. Mërgim Mavraj, Greuther Furth 
7. Renato Arapi, Skenderbeu 
8. Tefik Osmani, Teuta 
9. Armend Dallku, Vorskla 
10. Jurgen Gjasula, Duisburg 
11. Migjen Basha, Torino 
12. Ansi Agolli, Karabak 
13. Armando Vajushi, Liteks 
14. Ervin Bulku, Sepahan 
15. Sabien Lilaj, Skenderbeu 
16. Azdren Llullaku, Gaz Metan 
17. Erjon Bogdani, Siena 
18. Edgar Çani, Katania 
19. Hamdi Salihi, Jiangsu 
20. Ergys Kaçe, Paok 
21. Emiliano Vila, Pas Janina 
22. Vullnet Basha, Sion 
23. Valdet Rama, Valadolid 
24. Elseid Hysaj, Empoli 
25. Ilir Berisha, Orebro 
26. Amir Abrashi, Grasshopers 

/ATSH, BW/