Kuvendi i Kosovës po përgatitet sot, 21 korrik, për tentativën e 50-të për të konstituuar legjislaturën e re, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Seanca konstituive pritet të nisë në orën 11:00, nën drejtimin e deputetit Avni Dehari.

Në seancën e së shtunës, Kuvendi u ndal te pika e tretë e rendit të ditës: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, një proces që prej muajsh po has në bllokada të njëpasnjëshme politike.

Pavarësisht thirrjeve të kryesuesit për të propozuar anëtarë të komisionit zgjedhor, i nevojshëm për zhvillimin e votimit të fshehtë për kryetarin, nuk pati asnjë propozim të ri nga partitë politike. Në mungesë të tyre, Dehari procedoi me hedhjen në votim të komisionit të formuar më herët gjatë seancave të kaluara.

Komisioni u miratua me 50 vota pro, pa asnjë kundër apo abstenim. Megjithatë, edhe kjo lëvizje nuk solli zgjidhje përfundimtare, pasi mungon ende konsensusi për kandidatin që do të udhëheqë Kuvendin.