Kuvendi pritet të zhvillojë sot më 12 mars një nga seancat më të debatueshme të muajve të fundit, ku në rend dite është shqyrtimi i kërkesës së Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë apo jo të deputetes socialiste Belinda Balluku.

Kjo kërkesë, e cila ndodhet në Kuvend që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar, pritet të marrë një përgjigje përfundimtare përmes votimit të dy raporteve të paraqitura nga shumica dhe opozita.

Debati politik është i ndarë qartazi në dy kampe. Nga njëra anë qëndron shumica socialiste, e cila ka hartuar raportin e saj duke argumentuar se arrestimi i ish zv kryeministres nuk është i domosdoshëm në këtë fazë të hetimit. Socialistët theksojnë se Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive në qeveri, pasi është larguar nga posti i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe nga roli i zëvendëskryeministres.

Sipas tyre, në këto kushte nuk ekziston rreziku që ajo të ndikojë në hetime, të manipulojë prova apo të largohet nga vendi. Për më tepër, ata argumentojnë se hetimi mund të vijojë normalisht nga SPAK pa qenë e nevojshme masa e arrestit me burg. Për të rrëzuar kërkesën e SPAK, shumicës i mjaftojnë të paktën 71 vota në sallën e parlamentit.

Në anën tjetër, opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike mban një qëndrim krejt të kundërt. Demokratët insistojnë se Kuvendi duhet të japë autorizimin për arrestimin e Ballukut, duke argumentuar se edhe pse ajo nuk mban më poste qeveritare, vazhdon të ketë ndikim politik dhe institucional që mund të përdoret për të intimiduar dëshmitarë apo për të ndërhyrë në prova. Sipas tyre, heqja e imunitetit parlamentar dhe lejimi i arrestimit është një hap i domosdoshëm për të garantuar një hetim të pavarur dhe të pakushtëzuar.

Paralelisht me zhvillimin e seancës plenare, opozita ka paralajmëruar një protestë jashtë godinës së Kuvendit. Tubimi do të nisë në të njëjtën kohë me seancën dhe do të përfundojë me mbylljen e saj. Organizatorët kanë deklaruar se protesta do të jetë simbolike dhe nuk është parashikuar skenar ngujimi apo bllokimi të institucionit.

Nga ana tjetër, strukturat e rendit kanë marrë masa të shtuara sigurie për të garantuar mbarëvajtjen e seancës dhe të protestës. Policia ka rrethuar godinën e Kuvendit me barriera metalike dhe ka planifikuar një plan të detajuar për menaxhimin e turmës dhe ruajtjen e rendit publik.