Në katër komunat e veriut të Mitrovicës, sot do mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme ku të drejtë vote kanë 57.983 persona në 87 vendvotime, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.
Zgjedhjet po mbahen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve atje, shkaku i taksës prej 100 përqind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.
Për zgjedhjet në veri garojnë 12 kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këto katër komuna ka angazhuar rreth 670 komisionarë. Ndërkaq, numri i vëzhguesve të akredituar nga ana e KQZ-së dhe të cilët do të mund të përcjellin votimin është rreth 500 vëzhgues.