Banorët e qytetit të Kukësit do t’u drejtohen këtë të diel kutive të votimit për herë të dytë brenda 5 muajve, për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë. Për këtë proces janë ngritur 74 qendra votimi, ku idenfikimi i zgjedhësve do të jenë në mënyrë elektronike ndërsa votimi do të bëhet vetëm me një fletë.

Në garë janë Albert Halilaj nga PS dhe Emri Vata nga koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë”. Lulzim Basha e regjistroi partinë në këto zgjedhje, por nuk nxori kandidat për këtë betejë. Përsëritja e zgjedhjeve në Kukës kushton 250 milionë lekë të vjetra.

Në 14 maj, në Kukës morën pjesë gati 52 % e atyre që kishin të drejtë. Safet Gjici u shpall fitues me 2 mijë vota më shumë, përballë kandidatit të Berishës Admir Sinamati. Zgjedhjet e reja po mbahen pas dorëheqjes dhe shkarkimit të Gjicit pas publikimit të video skandalit në zyrë.

Gjici u arrestua më 24 qershor në Tiranë për korrupsion pasiv. Dyshohet se ai ka favorizuar Alma Kaçin duke i ofruar mbështetje financiare mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet. Vetë 40-vjeçarja ka pranuar se donte nga Gjici tenderin e qenve.