DURRËS, 7 tetor 2014 – Louis Ortiz, i cili i ngjan Barak Obamës, udhëton nëpër botë si një dublant presidencial. Ai rrëfen sesi i ndryshoi jeta në mënyrë të pazakontë, kur Obama u zgjodh President në vitin 2008
Louis Ortiz ëndërronte njëherë e një kohë të bënte një operacion plastik. Veshët e tij ishin pak më të mëdhenj seç duhej, ndaj ai donte t’i kthente në normalitet. Tani Ortiz është i lumtur që nuk e bëri operacionin.
Një ish-punonjës i kompanisë së komunikacionit “Verizon” nga Bronksi, Ortiz e ka kthyer ngjashmërinë me Presidentin Barak Obama në një karrierë të ndritur, që i mundëson udhëtime nëpër botë si dublant presidencial.
Ortiz, 43 vjeç, ndihet i bekuar, ndonëse pranon se ka raste kur e gjitha kjo është pak si shumë e çuditshme.
Louis Ortiz punon mesatarisht dy ose tri herë në javë si dublant i Barak Obamës. “E shoh shpesh veten në pasqyrë dhe filloj të mendoj si Baraku”, thotë ai. “Është sikur Barak të flasë përmes meje për mua… Është e çuditshme”.
Ortiz, që e quan veten Bronks Obama, është “president” jozyrtar me kohë të pjesshme. Prenotimet e tij të rregulluara nëpërmjet një agjencie, përfshijnë festat dhe konferencat e përbashkëta, një reklamë të rastësishme televizioni jashtë shtetit dhe madje, edhe paraqitjet si i paftuar në dasma.
“Fansat e çmendur pas Obamës dëshirojnë që unë të shkoj në dasma dhe të mbaj një fjalim surprizë për nusen dhe dhëndrin”, – shpjegoi ai në një intervistë për “Daily News”.
Ai është një barometër i çuditshëm i popullaritetit të Presidentit Obama. Kur shifrat e mbështetjes së Presidentit amerikan janë të larta, Ortiz merr më shumë buzëqeshje dhe kur ndodh e kundërta, ai ndien dhimbjen.
Për ta thënë ndryshe, vrasja e Osama Bin Laden ishte një çast i mirë biznesi për të. Debati për paketën shëndetësore “Obamacare”, jo edhe aq.
Në vitin 2013, Ortiz bëri 60.000 dollarë, sipas tij, shifër që ishte më e ulët se viti 2012.
Një dokumentar për Ortiz, “Bronks Obama”, nga regjisori Ryan Murdock, do të dalë në fund të këtij muaji.
Ai ka lindur në Manhatan dhe është rritur në Bronks. Ka dy fëmijë, një vajzë 19 vjeçe dhe një djalë 14 vjeç.
Një veteran ushtrie, Ortiz punoi për kompaninë e telefonave për 13 vite si një teknik në terren. Ai e la punën në vitin 2008, kur njerëzit i thoshin vazhdimisht se ishte si Presidenti. Kështu filloi jeta e tij e re si dublant i Obamës.
Për ta bërë mishërimin e Presidentit më të besueshëm, Ortiz bën grimin e nevojshëm dhe madje rikrijon edhe një nishan të Obamës. Por ato që e bëjnë më të besueshëm imitimin, janë veshët.
Ortiz, që është me origjinë nga Porto Riko, vesh zakonisht një kostum të zi dhe këmishë të bardhë, kollare të kuqe dhe mban varur në xhaketë një gjilpërë me kokë, që paraqet flamurin amerikan. Ai është në gjendje të imitojë veprimet e Obamës, zërin dhe buzëqeshjen.
Ndonjëherë, Louis Ortiz i vë në lojë njerëzit që mendojnë se ai është me të vërtetë Barak Obama. Një javë më parë, kur ecte në rrugët e qytetit, një turist mbeti gojëhapur. Një grua që po fliste në telefon atypari, u dëgjua të thoshte “Sapo pashë një pseudo-Barak Obama!”.
“Është fantastike… Çdo veprim – mënyra sesi lëviz, si i pret flokët, veshët e tij, buzëqeshja”, – thotë Herby Aristide, shoferi 33-vjeçar i një autobusi të guidës turistike nga Bruklini.
Njerëzit mblidhen rreth Ortiz për të bërë foto. Kryesisht vizitorë të huaj si kinezë, apo italianë. Njerëzit afrojnë edhe fëmijët për të bërë foto.
Ai është një hit. Dhe është e qartë se Ortiz është i kënaqur për këtë.
Atij i pëlqen të luajë ndonjëherë. Truku i preferuar i tij është kur hyn në një restorant, hedh sytë përreth dhe pastaj del duke i lënë klientët syhapur.
Ndonëse Obama do të dalë në “pension” në vitin 2017, Ortiz mendon se ai ende do të ofrojë kartëvizitën e tij ku ka pozuar si President dhe ku thuhet “Më punëso!”.
“Ai është Presidenti i parë afro-amerikan. Ai nuk do të harrohet lehtë, sepse përbën histori”, – tha Ortiz me vetëbesim. “Për këtë arsye, edhe unë nuk do të harrohem shpejt”.
/index.al/





