TIRANE – Aleanca Kuq e Zi shpalosi platformën qeverisëse për rehabilitimin dhe integrimin e ish-burgosurve dhe ish-përndjekurve politik. Gjatë fjalës së tij, kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu premtoi se “AK do të jetë forca e parë politike e cila brenda 3 muajsh nga ndërtimi qeverisë së re do të publikojë dosjet e të gjjithë bashkëpunëtorëve të agjeturave të huaja anti-shqiptare”. 

Ndër të tjera Spahiu deklaroi se Aleanca Kuq e Zi del si forca e parë politike me një axhendë politike dhe juridike për realizimin e aspiratës për integrim të disidentve politik duke pasur si prioritet: 

 

 

 

1. Ngritjen e një komisioni ekspertësh në bashkëpunim me përfaqësues të të dënuarve dhe përndjekurve politik për të revizionuar ligjet e cunguara dhe dhunuara nga PD dhe PS gjatë këtyre 23 viteve. 
2. Garantimin për të gjithë të internuarit dhe ish dëbuarit të një pensioni mujor duke ju njohur vitet e dënimit si vite pune. 
3. Kushtëzimin e cilido koalicioni të ardhshëm qeveritar që brenda dy ditëve të ardhshme të bashkëqeverisë duke shlyer të gjitha dëmshpërblimet financiare për të burgosurit, përndjekurit politik dhe familjet e tyre. 
4. Hapjen e dosjeve për të gjithë bashkëpunëtorët e agjenturave anti-shqiptare. 
5. Kuotimin në përfaqësim dhe punësim të fëmijëve dhe familjarëve të ish-burgosurve dhe përndjekurve politik për ti bërë pjesë të administratës publike. 
6. Akordimin e një statusi të veçantë për të gjithë të persekutuarit politikë dhe familjeve të tyre. 
7. 30% e të ardhurave nga privatizimet dhe konfiskimi i pasurive të vjedhura dhe grabitura të shtetasit Berisha dhe qeveritarëve do të shkojnë për të dëmshpërblyer ish të dënuarit politik. 
8. Përmbushjen e të gjitha detyrimeve morale dhe kushtetuese lidhur me rehabilitimin dhe integrimin e plotë të kësaj shtrese të popullsisë. 
9. Strehimin e të gjitha familjeve të persekutuara të cilat përballen me pamundësisë për banim dhe strehim. 
10. Krijimin e bursave të studimit për fëmijët e familjeve të të persekutuarve. 
11. Përfshirja në Aleancën Kuqezi për të përmbysur regjimin politik të gardianit Berisha i cili ka burgosur të drejtat e shqiptarëve dhe liritë themelore të tyre." 
 

Më tej Spahiu sulmoi ashpër kryeministrin Berisha, kur tha se në grupin parlamentar të Partisë Demokratike mund të gjesh spiunë pa fund. Misioni i Berishës, vijoi Spahiu ka qenë që të shfaroste ish të përndjekurit dhe të djathtën shqiptare. 

“Në grupin e tij parlamentar mund të gjesh spiunë pa fund, por asnjë ish të përndjekur. Në kryesinë e PD-së apo në Këshillin Kombëtar, me një rregullore të veçantë është përjashtuar dhe nuk ka në rradhët e kësaj partie të përndjekur”- theksoi Spahiu.