DURRES, 7 qershor 2013 – Pjesëtarë të ekipit durrsak të Rilindjes Klodjana Spahiu dhe Ilir Beqaj kanë zhvilluar gjatë ditës së sotme takime me banorët e lagjeve12 dhe 16 të Durrësit.

Sipas zëdhënësit të selisë rozë, Spahiu dhe Beqaj janë takuar me shumë qytetarë të Durrësit si dhe me biznesin e vogël të vendosur në këto zona.

Shqetësimi i ngritur nga qytetarët e Durrësit në këto takime ka qenë situata jashtëzakonisht e rëndë ekonomike dhe varfëria që po përjetojnë banorët e Durrësit ashtu si në të gjithë Shqipërinë.

Po kështu edhe biznesi i vogël i ka bërë të njohur problemet e tij ekipit durrsak të Rilindjes ku biznesmenët e vegjël deklaruan se situata e rëndë ekonomike po i çon këto biznese drejt falimentimit.

Nga ana e tyre Spahiu dhe Beqaj kanë sqaruar të gjithë qytetarët se programi i PS-së dhe i Rilindjes do të rimëkëmbin të gjithë vendin dhe do të luftojnë varfërinë duke rilindur ekonominë e rrënuar.

Përsa i përket biznesit të vogël Spahiu dhe Beqaj kanë përsëritur angazhimin e PS-së, se qeveria me kryeministër Edi Ramën do të heqë taksën e biznesit të vogël si dhe do të përgjysmojë tatimin mbi fitimin e këtij biznesi.

Në këtë mënyrë do të lehtësohet mjaft biznesi i vogël në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë deklaruan Spahiu e Beqaj në rrugëtimin e tyre në këto lagje të Durrësit.