PATOS – Aleanca Kuq e Zi zhvilloi sot tubimin e parë politik në qytetin e Patosit. Kreshnik Spahiu, drejtuesi i Aleancës Kuq e Zi pasi ka mandatuar sekretarët politik në këtë qytet, mbajti fjalimin e tij në qendër të të cilit ishte rrënimi ekonomik i jetës së shqiptarëve.
"Kjo qeveri ka një synim parësor në të gjitha politikat e saj, rrënimin ekonomik të shqiptarëve duke i gllabëruar çdo pronë publike dhe pasuri kombëtare. Ministrat e kësaj qeverie të kryesuar nga shtetasi Sali Berisha kanë grabitur pasurinë e shqiptarëve dhe Shqipërinë e kanë kthyer në pronë të tyre sikur ta kishin trashëgimi të baballarëve. Kjo duhet të marrë fund dhe Aleanca Kuq e Zi zotohet se do të konfiskojë çdo pasuri të përfituar në forma anti-ligjore dhe do t’ja kthejë ato shqiptarëve që janë pronarët e vërtetë" deklaroi Spahiu.
Më tej Spahiu u shpreh se të ardhurat e pensionistëve shqiptarë nuk krahasohen, jo me shtetet fqinje, por as me pagesat e të burgosurve në vendet e BE,si dhe garantoi rimëkëmbjen e mirëqënies e shqiptareve përmes politikave ekonomiko-nacionaliste.
Kreshnik Spahiu ka ftuar mbarë të pranishmit në qytetin e Patosit të bashkohen me kuqezinjtë për të rrëzuar shtetasin Berisha përpara zgjedhjeve të 23 Qershorit përmes "pranverës shqiptare". "Pasi me Sali Berishën në pushtet nuk do të ketë kurrë zgjedhje të lira dhe demokratike", tha Spahiu.
Duke u ndalur tek kufizimi i mandateve si pikë e rëndësishme e programit të kuqezinjve Kreshnik Spahiu ka deklaruar se "me ardhjen në pushtet të kuqezinjve nuk do të ketë zyrtar që pasi plotëson dy mandate në funksionin publik të vijojë të jetë Kryeministër, President, Kryetar Parlamenti, Bashkie, Komune apo edhe Partie".
"Unë do të jem i pari që pas dy mandateve si kryetar i Aleancës Kuq e Zi do të largohem nga kjo detyre për ti hapur rrugën vizionit të ri dhe shembur përfundimisht monopolin e karrikeve nga zyrtarë që po vdesin duke ushtruar detyrat prej 23 vitesh", tha Spahiu.