TIRANE, 16 prill 2013- Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu e cilësoi si një aksion të paligjshëm të deputetëve, vendimin për shkarkimin e anëtarit të LSI-së në Komisionin e Zgjedhjeve. Përmes një deklarate për mediat, Spahiu u bën apel Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së që të izolojnë diplomatikisht kryeministrin Berisha, pasi sipas tij, po përgatit atentatin e zgjedhjeve të 23 qershorit. 

“Aleanca Kuq e Zi denoncon fort dhe pa medyshje aksionin e gangsterëve në Kuvendin e Shqipërisë. Seanca parlamentare e djeshme demostroi qartë se në Shqipëri kanë dështuar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, OSBE, ODHIR dhe të gjithë opozitës parlamentare për të garantuar në tryeza institucionale ose ligjore zgjedhjet e lira dhe numërimin e votës së 23 qershorit për sa kohë në krye të shtetit qëndron shtetasi Berisha. Ky sistem ka dështuar dhe i madh e i vogël e di mirë që shtetasi Berisha është një kriminel që nuk e lëshon karrigen e tij me marrëveshje. Për këto arsye Aleanca Kuq e Zi apelon: 
1. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE duhet të izolojnë diplomatikisht njeriun që po përgatit atentatin e zgjedhjeve të 23 qershorit. 
2. Opozita parlamentare me socialistë të integruar dhe paintegruar të braktisë përgjithmonë parlamentin se përndryshe do shiten të gjithë me lek si Dollgjani, Islami, Kadeli dhe të tjerë që do u vinë pas. 
3. Bashkimin Aleancës së Kuq e Zi më 1 maj për të rritur presionin popullor me mosbindje qytetare deri në largimin pa kushte të shtetasit Berisha. 
4. Nënshkrimin e një pakti kombëtar për arrestimin e shtetasit Berisha dhe dorëzimin e drejtësisë pasi çdo minutë në liri e këtij njeriu përben një rrezik për Shqipërinë”,- deklaroi Spahiu. 

Sipas Spahiut, me vendimin e djeshëm në Parlament, u vërtetua se vazhdon ende merkatoja e deputetëve. 
“Një javë më parë, tre deputetë u blenë nga djathtas majtas ndersa mbrëmë tre deputetë të tjerë u shitën nga majtas djathtas. Me shit-blerje deputetësh nuk rrëzohet as Saliu, as Jozefina. Partia Socialiste ka një javë kohë te tregojë nëse është opozitë e vërtetë apo palë me Berishën”,- u shpreh Spahiu.