TIRANE– Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, i ka bërë sot apel institucioneve shtetërore të vendosin drejtësi dhe të dënojnë autorët e ngjarjeve të 21 janarit 2011, të cilat ai i cilësoi krim shtetëror të kryer në pragun e dyerve të shtetasit Berisha.

”Për herë të parë në historinë e 100 viteve shtet një kryeministër vret dhe godet me armë mbi popullin e tij. As diktatori i fundit komunist Ramiz Alia nuk guxoi të shtinte mbi popullin në Tiranë dhe në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ kur protestuam dhe e rrëzuam nga pushteti 23 vite më parë. Shtetasi Berisha nuk shtiu me armë për të mbrojtur atdheun, por gjithmonë ai ka qëlluar për të mbrojtur karrigen e tij duke vrarë kundërshtarët politik dhe popullin e thjeshte”,- deklaroi Spahiu.

Lideri i kuqezinjve renditi tre akuzat kryesore për të cilat Sali Berisha duhet të konsiderohet i pandehur e që janë: vrasje masive në bashkëpunim dhe me paramendim, tradhti kombëtare duke dorëzuar pjesërisht territorin shqiptar tek shtetit grek, korrupsion aktiv në mënyrë sistematike.

“Për këto krime dhe vepra të rënda ai nuk mund t’i shmanget dënimit me burgim të përjetshëm. Aleanca Kuq e Zi i bën apel të gjithë popullit shqiptar që të bashkohet dhe të organizohet për t’iu bashkangjitur Aleancës Kuq e Zi në “pranverën shqiptare” për ta rrëzuar nga karrikja para zgjedhjeve të 23 qershorit njeriun i cili qeveris me duar të gjakosura”,- u shpreh kreu i AK-së.