E majta në Durrës do të realizojë një fitore spektakolare shprehet deputetja socialiste Klodiana Spahiu. Duke iu referuar sondazheve paraprake te bëra nga forumet e kësaj partie në një nga qarqet më të rëndësishëm në vend, Spahiu shpreh bindjen se në zgjedhjet e 2013, Durrësi do të renditet tek qarqet që i përket së majtës. Përsa i përket deklaratave të drejtuesve të partisë së saj, të cilët nuk përjashtojnë koalicionin me LSI, Spahiu bën të ditur se PS-ja mirëpret edhe parti si PDIU, apo dy formacionet politike të krijuara muajt e fundit, FRD dhe AK. Duke qenë se Shqipëria ndodhet para një momenti kyç siç është marrja e statusit të vendit kandidat, deputetja e majtë thekson se në këtë sesion të ri parlamentar PS do të jetë një opozitë bashkëpunuese dhe konstruktive.

Me nisjen e sesionit të ri parlamentar ku do të fokusohet puna e opozitës në Kuvend?

Në këtë sesion të ri objektiv i opozitës është kalimi në Kuvend i paketës me ndryshimet kushtetuese si edhe aprovimi i ligjeve që kërkojnë një votim me 3/5, në mënyrë që Shqipëria të plotësojë kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Është shansi i fundit për këtë legjislaturë që të bëjë diçka të mirë për Shqipërinë.

Është një legjislaturë, e cila nuk i ka lënë një shije të mirë qytetarëve shqiptarë, me mefshtësinë dhe mungesën e vullnetit nga ana e shumicës amorfe, në realizimin e detyrave, që ia përcakton kushtetuta, por edhe partnerët tanë europianë, ndërkohë që opozita ka qënë gjithmonë e gatshme dhe konstruktive, si në komisionet parlamentare ashtu edhe në Kuvend.

Mazhoranca e ka akuzuar të majtën për qëndrimin e mbajtur ndaj votimit për heqjen e imunitetit në 6 gusht. Ndërkohë që këshilli i legjislacionit miratoi shtyrjen me dy javë të propozimeve të PS-së për ndryshimet kushtetuese. Cili është mendimi juaj për këtë shtyrje?

Tashmë të gjithë shqiptarët, madje edhe të djathtët e kanë kuptuar, që loja e Berishës me çështjen e imunitetit është një lojë e stisur shumë trashë dhe pa efektin që ai priste. Nuk ka shqiptar që mund të besojë se ai që ka forcën të shesë ujërat territorialë mund të pengohet nga opozita për të luftuar korrupsionin, se ai që tjetërson verdiktin e popullit, ditën për diell mund ta pengojë imuniteti parlamentar, se ai që shantazhon deputetët, mbyll mediat kundërshtare me dalldinë e tij, shpëton beniaminët e tij politikë nga gjykata vetëm për procedurë, ai që hesht kur fëmijët e tij sulmojnë në mënyrë aspak civile një deputet të PS, në një kohë që edhe ëndrrat i shohin me Fazllicë e me banka qipriote, mund të frenohet për tetë vjet nga imuniteti parlamentar.

A mos vallë e ka ndaluar “luftën” e tij ndaj korrupsionit edhe fakti që kryetari i opozitës nuk ka fare imunitet, ndërkohë që ai vetë i pamjaftuar me imunitetin, bodyguard-ët, në çdo dalje të tij publike mban edhe 100 kile antiplumb? Sa për atë se maxhoranca do “këmbëngulë”, po e përsëris se ne nuk kemi qënë dhe nuk jemi kundër këtij hapi, thjesht kjo do të ndodhë së bashku me paketën e ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga opozita.

Qëndrimi i mbajtur të enjten nga Këshilli i Legjislacionit që vetëm me votën e e mazhorancës vendosi të shtyhet për dy javë diskutimi i propozimeve për ndryshimet kushtetuese të paraqitura nga PS  tregoi edhe një herë që Sali Berisha si gjithmonë edhe këtë herë po e shfrytëzon imunitetin si bumerangun e rradhës për t’i hedhur hi syve shqiptarëve.

Propaganda e tij shurdhuese e muajve korrik e gusht për gjoja pengesën që ka sjellë opozita për heqjen e imunitetit shfryhet si një tullumbace përpara bashkëpunimit që ka ofruar kjo opozitë për të realizuar ndryshimet e duhura në kushtetutë duke menduar për gjithë shqiptarët, për një shtet të drejtë e ligjor aq shumë të dëshiruar nga demokratë e socialistë.

Në sesionin e kaluar opozita dha votën e saj për disa nga ligjet që kërkonin 3/5. A do ta bëjë këtë gjë edhe gjatë këtij sesioni?

E thashë edhe më sipër që ne kemi qenë opozita më bashkëpunuese, që ka patur ndonjëherë ky vend dhe se do të vazhdojmë të jemi të tillë për çdo ligj që është në të mirën e qytetarëve shqiptarë. Në fund të fundit kjo është detyra që na ka besuar elektorati ynë dhe paralelisht të bëhemi barrierë e arrogancës e abuzimit qeveritar, që po i  merr frymën qytetarëve të thjeshtë, bizneseve, por edhe jetës akademike ne vend.

Kryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruçi ka deklaruar këto ditë në media se PS-ja do jetë e hapur për bashkëpunim edhe me LSI, FRD apo AK? A mund të realizojë rotacion politik PS-ja nëse del e vetme në zgjedhje dhe sa mund të përkrahet nga elektorati bashkëpunimi me LSI?

Partia Socialiste ka qënë gjithmonë e hapur për bashkëpunim dhe kjo është diçka që në nivel qytetar ka filluar tashmë. Po lind një front i heshtur kundër shitjes së territoreve dhe resurseve natyrore, kundër abuzimit galopant me paratë e taksapaguesve, kundër rrënimit të sistemit arsimor dhe asgjësimit të atij shëndetësor, kundër haxhiqamilizmit që na udhëheq drejt çbërjes si komb e si shtet.

 

Po lind një front i heshtur kundër shitjes së territoreve dhe resurseve natyrore, kundër abuzimit galopant me paratë e taksapaguesve, kundër rrënimit të sistemit arsimor dhe asgjësimit të atij shëndetësor, kundër haxhiqamilizmit që na udhëheq drejt çbërjes si komb e si shtet. Në këtë sens janë të mirëpritur të gjithë ata që janë kundër dishezës së rrezikshme që po merr ky vend

Në këtë sens janë të mirëpritur të gjithë ata që janë kundër dishezës së rrezikshme që po merr ky vend dhe jo vetëm ato forca që ju përmendët, por në këtë front ka vend edhe për PDIU-në, të cilët i sigurojmë se në trenin ku kanë hipur nuk ka zgjidhje për çështjen çame. Është pikërisht ky front, që na bën të sigurtë se nuk do të jemi vetëm në këtë betejë gati –gati ekzistenciale, për një rilindje shqiptare.

Ylli Bufi pak ditë më parë akuzoi drejtuesit e PS-së se u kanë hequr të drejtën forumeve të marrin vendime? Si paraqitet situata në Durrës në këtë drejtim?

Ne kemi realizuar një fushatë model për FRESSH-in, një fushatë ku është angazhuar numri më i madh i njerëzve të përfshirë ndonjëherë në Shqipëri për zgjedhje në një forum partiak. Kjo u zbatua edhe në Durrës, sigurisht në përmasa më të vogla, por mbresëlënëse për një rreth të vetëm.

E sigurt është që përsosmëria absolute nuk arrihet ndonjëherë, por më mirë se kaq nuk gjen askund tjetër në Shqipëri. Ne nuk rreshtim së perfeksionuari dhe për fatin e keq të shqiptarëve, ne kemi konkurrent vetëm veten tonë, pasi në asnjë parti tjetër nuk ekziston demokracia që ka PS-ja. Këtë nivel demokracie e kanë kuptuar edhe gazetarët, të cilët rëndom e drejtojnë këtë pyetje pothuajse ekskluzivisht për deputetët socialistë, ndërkohë që s’ju kam dëgjuar ndonjëherë të pyesni për këtë ndonjë deputet të PD-së.

Pra jemi ne që e kemi mësuar shoqërinë civile me demokraci brenda partisë dhe natyrshëm edhe pritshmëria është më e madhe, për të mos thënë e vetmja, në Partinë Socialiste.

Duke qenë se jemi në prag të vitit elektoral ku do të përqendrohet aktiviteti politik i PS-së në shkallë vendi?

Puna propagandistike me njerëzit në çdo cep të Shqipërisë, pastrimi i listave të zgjedhësve nga emrat e dubluar, reforma në KQZ si edhe detajimi i mëtejshëm i programit të PS, i cili tashmë është strukturuar dhe është parashikuar edhe fakti që Berisha do zbatojë teorinë e tokës së djegur, janë shinat kryesore në të cilat do të lëvizë Partia Socialiste në këto muaj të mbetur nga dita e zgjedhjeve.

I sigurojmë qytetarët se jemi të vendosur që vota e tyre të mos vidhet, ashtu si nuk ndodhi në Durrës, në Kavajë, Fier, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Korçë, Elbasan madje as në Laç e Fushë-Krujë e kudo në Shqipëri. Edhe në Tiranë me gjithë manipulimet e bëra, plani A i tyre nxorri fitues Edi Ramën, duke i detyruar haxhiqamilistët, të përdornin planin B, me grabitjen e shëmtuar, unikale në të gjithë botën. Reforma në KQZ pikërisht këtë synon.

Në dy zgjedhjet e fundit parlamentare PS-ja ka humbur në nivel qarku në Durrës. A janë hartuar strategjitë për të ndryshuar situatën në zgjedhjet e ardhshme apo është ende herët?

Pak a shumë këtë pyetje e kemi ezauruar me përgjigjet e mësipërme, megjithatë mund të shtoj diçka lidhur me rezultatet e sondazheve tona paraprake, të cilat parashikojnë një fitore spektakolare të koalicionit të majtë. Janë me të vërtetë rezultate optimiste, ju siguroj për këtë.

A do të ketë të drejtë anëtarësia të propozojë kandidatët për deputetë apo ato do të dalin si gjithnjë nga listat e mbyllura të kryetarit Rama?

Termi “lista të mbyllura” është një term teknik dhe nuk është gjetje e jona, por duhet të dini se për çdo emër që gjendet në atë listë, bëhet një anketim ku marrin pjesë pothuajse të gjithë anëtarët e partisë në mënyra të ndryshme, sigurisht. Madje mund të them se pyetësori shtrihet edhe më gjerë në pothuajse të gjithë elektoratin. Është një proçes që merr shumë kohë dhe nuk bëhet vetëm në muajt e fundit.