TIRANE – I ftuar në emisionin “Studio24” të gazetarit Denis Minga, kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu deklaroi se çështja e bashkimit kombëtar është kusht i AK-së për çdo koalicion në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas Spahiut, referendumi për bashkimin Kosovë-Shqipëri është një proces i panegociueshëm me asnjë forcë politike. 

“Referendumi është një proces, edhe për ata që janë skeptik, duhet të kuptojnë se kjo është një betejë, jo luftë me armë, por një betejë diplomatike, juridike, politike, e cila nuk përfundon as për një muaj, as për dy, as për një vit. Referendumi si proces, në rastin më të mirë, edhe sikur të miratohet, merr së paku 2 vjet kohe. Ne kemi nisur një proces sot që jemi në opozitë, për ta kurorëzuar nesër që mund të jemi në krye të shtetit.”- deklaroi Spahiu. 

Ndërsa nënvizoi se forma më e mirë e bashkimit të dy kombeve shqiptare është Federata Shqiptare me 2 njësi, Spahiu tha se bashkimi Kosovë-Shqipëri nuk mund të ndodhë nëse klasa politike nuk e vendos në axhendë. 

“Bashkimi i dy shteteve është çështje e brendshme, nuk i takon askujt të ndërhyjë për këtë gjë. Dy qeveritë dhe dy parlamentet zyrtare, përfaqësuesit politik të sovranit të dy vendeve thonë nuk duam të bashkohemi. Të huajt nuk mund ta vendosin në axhendë, kur shikojnë një klase politike që nuk e ka në program bashkimin kombëtar.”- u shpreh Spahiu. 

Kryetari i Aleancës Kuq e Zi bëri të ditur se iniciativa për bashkimin kombëtar ka nisur tashmë edhe në Kosovë, ku po mblidhen nënshkrimet për të ndryshuar edhe nenin 1 të Kushtetutës së Kosovës, që nuk lejon bashkimin e shtetit me një shtet tjetër. 

“Janë aktivistët e Aleances Kuq e Zi në Kosovë, lëvizja popullore kombëtare, organizata të shoqërisë civile, që janë vënë në lëvizje për të mbledhur nënshkrime, për t’ia parashtruar parlamentit të Kosovës.”- deklaroi Spahiu. 

Kreu i AK-së foli me tone të ashpra për kryeministrin Berisha, duke e cilësuar si armik të Aleancës Kuq e Zi. Sipas Spahiut, Berisha është një i pandehur në sytë e popullit shqiptar dhe duhet të përballet me drejtësinë.